E Shtunë, 31 Tetor 2026

Scheffer, fton Shqipërinë të aderojë në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, nëpërmjet një letre drejtuar Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Lulzim Basha, fton qeverinë të aderojë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Në letrën drejtuar Ministrit të Jashtëm Basha, Z. Jaap de Hoop Scheffer, ndër të tjera, shkruan: "Jam i lumtur t'ju informoj se të gjitha Palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 Korrik 2008. Rrjedhimisht, Protokollet kanë hyrë në fuqi.Në emër të gjitha Palëve, vijon më tej letra e Z. Scheffer për Ministrin Basha, jam veçanërisht i nderuar ti komunikoj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet Palë në këtë Traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës." Në fund të letrës së tij drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme, Z. Lulzim Basha, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Scheffer, shpreh kënaqësinë në emër të të gjithë shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut. Në vijim të letrës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Ministri i Jashtëm, Z. Lulzim Basha, ka udhëzuar Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet nesër, dt. 1 Prill 2009, në një ceremoni të përbashkët të Ambasadorëve shqiptar dhe kroat në Uashington. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO- s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës ato u ratifikuan nga Parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kështu, në Samitin e Strasburg/Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›