Scheffer:Shqipëria në prill në NATO

Shqipëria dhe Kroacia do të jenë anëtare me të drejta të plota rë NATO-së në Samitin e prillit, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.Sipas tij, zgjerimi i NATO-s vazhdon të mbetet në rendin e ditës të Aleancës, veçanërisht për të garantuar vazhdimësinë e procesit të stabilizimit të Evropës. "Dera do të mbetet gjithmonë e hapur për anëtarët e ardhshëm", njoftoi ai gjatë një konference për festimin e përvjetorit të dhjetë të pranimit të Hungarisë, Republikës Çeke dhe Polonisë. "Zgjerimi i NATO-s mbetet një nga strategjitë kryesore për konsolidimin e Evropës", nënvizoi ai. Gjatë samitit të saj të ardhshëm më 3 dhe 4 prill në Strasburg (Francë) dhe Kehl (Gjermani), NATO do të presë Kroacinë dhe Shqipërinë si anëtare të reja të Aleancës. Ukraina dhe Gjeorgjia kërkojnë gjithashtu të integrohen, por kërkesa e tyre u refuzua gjatë samitit të mëparshëm, në Bukuresht në pranverën e vitit 2008.