Tirane, rehabilitohet nje cerdhe per vogelushet e Njesise Bashkiake nr 3

Tiranë, 12 mars 15:06 NOA - Me një fond prej 23 milionë lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, është mundësuar rehabilitimi i çerdhes së fëmijëve Nr.26, në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë Edi Rama, i pranishëm në përurimin e kësaj çerdheje, ka sjellë edhe një herë në vëmendje, kërkesën e vazhdueshme të Bashkisë së Tiranës për vënien në dispozicion të pronave dhe të aseteve publike me qëllim kthimin e tyre në funksion të qytetarëve dhe komunitetit.
Kryebashkiaku vlerësoi se “është rasti i duhur për t’i bërë apel Kryeministrit dhe qeverisë, që të mos bëjnë as demagogji dhe as propagandë vulgare, duke akuzuar Bashkinë e Tiranës për të na vënë në dispozicion hapësirat që kemi kërkuar që në vitin 2005 dhe pastaj përsëri në vitin 2007, për të ndërtuar edhe katër shkolla të reja, tre kopshte, tre çerdhe dhe pesë qendra sociale, pa llogaritur këtu edhe një sërë parqesh për fëmijët në të gjithë kryeqytetin”.
Rama tha se janë asete publike, prona publike të cilat duhet t’i jepen Bashkisë, sepse “është e vetmja bashki në botë që sot nuk disponon asnjë pronë për ta kthyer në funksion të shërbimeve sociale për fëmijët, për nxënësit, për familjet, për komunitetet”.
Është një domosdoshmëri, është një premtim i dhënë në vitin 2005 dhe sipas së cilit, deri në vitin 2007 do të transferoheshin pronat për pushtetin vendor dhe është i vetmi pushtet vendor që ende nuk ka marrë pronat që i takojnë për t’ua vënë në shërbim qytetarëve, për t’ua vënë në shërbim komuniteteve.
Rasti i shkollës së Bregut të Lumit nuk është i vetmi rast, ka një sërë rastesh të tjera dhe në vijim ne do t’i bëjmë publike kërkesat tona, ashtu sikundër presim dita ditës që këto kërkesa të plotësohen, sepse nuk janë për interesa palësh, nuk janë për interesa partish, janë për interesat e përbashkëta të të gjithë qytetareve dhe qytetarëve, të të gjitha familjeve, të të gjitha komuniteteve dhe mbi të gjitha të më të vegjëlve, që nuk kanë pse paguajnë asnjë lloj kostoje, për shkak të arsyes së mosarsyes së politikës së vjetër”.
***
Çerdhja nr.26, ndodhet në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në Njësinë Bashkiake Nr.3. Kapaciteti i çerdhes mundëson akomodimin e 80 fëmijëve, të cilët do të mund të përfitojnë një shërbim cilësor, në sajë të një investimi serioz dhe bashkëkohor.
Rikonstruksioni dhe përmirësimi i planimetrisë së ambienteve ekzistuese në këtë institucion, kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet e godinës.
Po ashtu, në këtë çerdhe është instaluar sistemi qendror i ngrohjes dhe pajisja me radiatorë, në të gjithë ambientet. Çerdhja është pajisur me kuzhinë profesionale si dhe me orendi, të standardeve bashkëkohore.
Në vijim të përmirësimit dhe standardizimit të shërbimit edukativ dhe psiko-social, janë krijuar dhomat e veçanta për mjekun, punonjësin social, sallat për trajnimin e prindërve dhe lojërave për fëmijët. Çerdhja është pajisur me lojëra dhe mjete didaktike, me qëllim realizimin e proçesit edukativ.
Bashkia e Tiranës ka në prioritetet e saj, ofrimin e një shërbimi cilësor për mirërritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve. Në këtë kuadër, përmirësimi i infrastrukturës së çerdheve, është një nga elementet më të rëndësishëm, me qëllim mbarëvajtjen e këtij shërbimi.
e.l/NOA