E Shtunë, 31 Tetor 2026

Schumi, mos u pensiono!

Nga Express më 28 shtator 2011 në ora 08:54

Schumi po, Schumi jo. Kjo është dilema më e madhe që qarkullon në shtëpinë e Mercedesit. A do të garojë ngasësi gjerman edhe në vitin 2012, apo edhe më larg? Mundësitë janë të mëdha për vitin 2012, ngase ai ka kontratë deri në atë periudhë, por për më shumë nuk ka asgjë konkrete.

Ai që shpreson që shtatë herë kampioni i botës të vazhdojë edhe në vitin 2013 me ekipin gjerman është Nico Rosberg. Shoku i ri i skuadrës i ‘Kaiser’ e pranon se ka mësuar shumë nga Michael dhe se shpreson që ta ketë nderin dhe kënaqësinë të punojë ende me legjendën e këtij sporti.

“I takon Schumacherit që të vendosë nëse do të vazhdojë apo jo në Formula 1. Mercedesi e mbështet totalisht Michaelin dhe unë jam i nderuar që punoj me të. Shpresoj shumë që ai të vazhdojë edhe në vitin 2013. Jam rritur përkrah tij dhe dëshiroj të vazhdoj të jem shoku i tij i skuadrës edhe në të ardhmen”, tha piloti i ri për agjencinë gjermane SID.

Një dëshirë që vështirë se mund të realizohet, ngase duket se Schumi do t’i japë fund karrierës për herë të dytë vitin e ardhshëm. Në Gjermani, më shumë se 50 për qind e të pasionuarve të këtij sporti shpresojnë që Schumacher të pensionohet në vitin 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›