“Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjet psikike dhe haluçinante”
PD u përgjigjet akuzave të opozitës
Partia Demokratike iu kundërpërgjigj dje deklaratave e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili foli për një Shqipëri ku mbizotëron varfëria dhe papunësisë.
Zëdhënësja e kësaj partie, Laura Vorspi tha se Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjen e socialisteve.
“Ne jetojmë në një Shqipëri të gënjeshtërt, populli Shqiptar jeton në një Shqipëri të gënjeshtërt. Kjo deklaratë nuk vjen nga spitale psikiatrike, ky ofendim nuk ju bëhet shqiptarëve nga ultra nacionalistë Serb apo Nazist Grek dhe as nga partitë Shqiptare të ekstremit të majtë apo fantazmat e dala nga varri i Enver Hoxhës dhe Spiro Kolekës por kjo deklaratë u bë dje nga Edi Rama në konventën e themelimit të ‘Partisë se re Rama’ partisë së një grushti neobllokmenësh, 99-sha e Mjaftucëve të Edi Ramës te paraqiste atë që mediat e quajtën sot, ‘Programi i Nastradinit’”, u shpreh zëdhënësja e PD.
Duke hedhur poshtë akuzat e Ramës, selia blu solli në vëmendje realitetin në vend.
“Partia Demokratike i rikujton z. Rama se, Shqiptarët sot jetojnë në Shqipërinë anëtare të NATOS dhe Shqipëria e tyre është aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë Aleanca më e fuqishme e lirisë së të gjithë kohërave. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në paranojën tuaj politike. Shqiptarët sot jetojnë në një Shqipëri me halle por jetojnë në një Shqipëri ku qytetarët e së cilës lëvizin të Lirë në mbarë Europën, arritje Historike kjo, për të cilën Edi Rama bëri gjithçka që të ua mohonte atyre. Kështu që për çdo Shqiptarë, Shqipëria pa viza është Shqipëria e vërtetë kurse Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në psikologjinë e Sëmurë të njeriut që jeton në një botë tjetër haluçinante, larg botës reale. Z. Rama, Shqiptarët ndërtuan sistemin e bazuar në vlerat e Demokracisë i cili natyrisht ka mangësitë e veta, por për Shqipërinë e vërtetë Demokratike Sekretarja e Shtetit Hilary Klinton do ju deklaronte shqiptarëve nga parlamenti mbarë botës se cilido që dëshiron të shohë një Demokraci në veprim të shkojë të shohë Shqipërinë, pra të shohë Shqipërinë e vërtetë të Demokracisë në veprim. Natyrisht, për bijtë e etërve bllokmen ajo sot është një terror i vërtetë. Z. Rama, Shqiptarët jetojnë sot në Shqipërinë e vërtetë që ata me Lumenj Djerse ndërtuan këto 20 vite lirie. Ata jetojnë në Shqipërinë e vërtetë e cila ende nuk është një vend i zhvilluar por ajo në banesa për 1000 banorë; në përqindjen e ndjekjes së shkollave të mesme dhe universiteteve nga fëmijët dhe të rinjtë e saj; në aksesin për kujdesin shëndetësor, në jetëgjatësinë mesatare të qytetarëve te saj; në vdekshmërinë foshnjore, amtare dhe të përgjithshme, renditet me dinjitet me vendet e zhvilluara dhe më të zhvilluara të botës. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjet psikopate dhe të sëmura për pushtet, që për Hir të karriges së pushtetit organizojnë Puce për të marrë pushtetin me dhunë, shpallin aleancë me fundërrina dhe janë gati të pështyjnë në fytyrë në çdo moment vendin e tyre vetëm e vetëm që ta nxijnë atë. Shqiptarët z. Rama, jetojnë sot në Shqipërinë e vërtetë e cila me gjithë vështirësitë reale me të cilat përballet nga kriza, me suksesin e reformave të saj sipas Komisionit Europian ka një rritje ekonomike katër herë më të madhe se rajoni, ka ndërtuar rrugë, ura, autostrada, superstrada, më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku. Shqipëria e vërtetë në të cilën jetojnë Shqiptarët me gjithë varfërinë, papunësinë etj. Ka sot rroga dhe pensione më të larta edhe se disa vende të Bashkimit Europian. Ajo ka mbi trefishuar eksportet dhe investimet e huaja, ka rritur punësimin dhe sipas grupeve më serioze të konsulencës në Botë renditet e 4-ta për shndërrimin e rritjes në mirëqenien ekonomike. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjen e atyre që me injorancë të plotë deklarojnë se: Shqipëria ka rritje por nuk ka punësim, se borxhi publik duhet të matet nga banka si përqindje e GDP-së. Shqipëria e gënjeshtërt ekziston vetëm në mendjen e atyre që tmerrohen nga pasuritë e tyre, që marrin në pajë pallate dhe nuk nxjerrin dot një faturë të vetme, që deklarojnë çmime trojesh për rezidencat e tyre verore 30-50 herë më të ulëta se çmimet e vërteta, që ndërtojnë vila me paratë e vjedhura Mjaftit dhe për të zhdukur gjurmë, vjedhin kompjuterin e financave të Mjaft-it! Shqiptarët jetojnë të lirë ndërsa ata jetojnë në makthe në terror nga frika e pasurisë së tyre, 23 Qershori po vjen, Shqiptarët do të ju japin atyre leksionin që ju dhanë 21 vjet më parë etërve të tyre mizorë”, tha më tej zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.