E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedorf: Derbi? Gënjenkush thotë se nukështë deciziv

TIRANE-Klarens Sedorf është nga ata që ka luajtur shumë sfida të tilla në karrierë. Të shtunën, Milan-Inter për të do të jetë thjesht një derbi i radhës edhe pse rrallëherë kjo ndeshje ka vendosur kaq shumë përsa i përket titullit kampion në vitet e fundit. Trajneri Alegri duket se beson shumë tek eksperienca e holandezit për këtë sfidë, ndërsa e ka provuar në skema të ndryshme gjatë stërvitjes. Ai ka luajtur me të dyja skuadrat, por sukseset më të mëdha i ka shijuar me fanelën kuqezi. Dhe nëse një pjesë e madhe e protagonistëve fshihen, duke mos e quajtur deciziv derbin Milan-Inter të ditës së shtunë, Sedorf mendon ndryshe. "Unë them se ky derbi është deciziv, - tha holandezi në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në Milanelo. - Kush thotë të kundërtën është një gënjeshtar. E them në përgjithësi, jo për përgjigje ndaj deklaratës së dikujt. Ne futbollistët e dimë se është deciziv, por gjithsesi nuk do të jetë fundi, nuk do të thotë se nuk mund të rikuperojmë. Por, asnjë nga lojtarët e dy skuadrave nuk dëshiron të kthehet në shtëpi me pikët zero. Kujtoj përballjen e sezonit 2003-2004, derbin që e fituam 3-2, pasi Interi ishte duke kryesuar 2-0. Ajo ndeshje na dha shtysën drejt titullit kampion. Por, si derbin më të tendosur kujtoj atë të vitit 2003, në gjysmëfinale të Champions League", shprehet Klarens Sedorf.
Respekti
Klarens Sedorf ka fituar shumë në karrierë, por është nga ata që gjithnjë e respekton kundërshtarin. Kështu duket edhe me Interin, ekipin që ka dominuar skenën italiane në vitet e fundit. "Interi është ekipi kampion në fuqi dhe një skuadër shumë e fortë. Këtë vit na takon ne ta tregojmë me fakte se titulli kampion duhet të vijë me ne", deklaron mesfushori holandez. Milani ka gabuar shumë në ndeshjet e fundit, por në kampin kuqezi dëshira për të fituar duket e madhe. "Ka 7 vjet që nuk fitojmë titullin kampion dhe ky grup nuk ka marrë ende asgjë. Ne kemi humbur shumë pikë në ndeshjet e tjera, por ballë për ballë me kundërshtarin duhet të tregojmë se prej çfraë brumi jemi gatuar", shton Sedorf. Në lidhje me Leonardon, holandezi i ka idetë të qarta: "Ne luajmë kundër futbollistëve të Interit, jo kundër Leonardos. Atij i uroj fat. Interi meriton respekt, por edhe ne e meritojmë. Po ju kujtoj se jemi të parët në klasifikim".
Pa Ibrën
Por, pavarësisht optimizmit, Milani do të jetë pa Zllatan Ibrahimoviç në ndeshjen e nesërme. "Galianin e pashë të qetë, ndërsa erdhi në stërvitje. Erdhi për të na treguar se i qëndron afër skuadrës, - tha Sedorf. - Ibra? Duhet të bëjmë diçka më shumë për të qenë të rrezikshëm, duhet të jemi të stimuluar akoma më shumë. Në ndeshjet e fundit Ibra është ankuar për pak lodhje, ndërsa ne duhet të jemi të zotët që kur ai të rikthehet ta gjejë Interin sërish mbrapa", deklaroi holandezi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›