Sejdiu: EULEX-i të qartësojë kompetencat me misionin e UNMIK-ut
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, beson në punën dhe efikasitetin e misionit të EULEX-it, ndërsa vazhdon të kundërshtojë planin gjashtëpikësh të OKB-së. Në një intervistë për Radio Kosovën (RTK), Presidenti Sejdiu shprehet se ky plan, nuk e ka fuqinë e një dokumenti të miratuar në Këshillin e Sigurimit dhe si i tillë nuk është obligues për Kosovën. Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, e vlerësoi shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë, me theks të veçantë vendosjen e tij edhe në Veri. Sejdiu refuzoi të krahasojë punën e këtij misioni me atë të UNMIK-ut edhe pse EULEX-i është vendosur nën ombrellën e misionit të OKB-së, si dhe mbi bazën e Rezolutës 1244. "Është një mision i ri ndërkombëtar dhe nuk mund të them se është UNMIK-u. EULEX-i është një fazë e re e konceptuar me projektin Ahtisari për një prezencë civile mbështetëse në dy fusha të rëndësishme, është fusha e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Mendoj se vetë hapat e parë janë me vendosjen e dy portave themelore të Veriut, pastaj elemente të tjera që kanë të bëjnë me gjykatat dhe disa elemente të tjera që lidhen me aspekte të sigurisë janë shenja të mira", u shpreh Sejdiu. Megjithatë, ende nuk dihet saktësisht, të paktën jo publikisht, se mbi cilat dokumentet do të punojë misioni EULEX. Presidenti Sejdiu shtoi se nuk do të pranohet plani gjashtëpikësh i OKB-së, sepse ai nuk është obligues për Kosovën. "E vërteta është se plani gjashtëpikësh nuk e ka marrë fuqinë e një dokumenti, në kuptimin e marrjes së një vendimi në Këshillin e Sigurimit. Por më tepër, është i shprehur në raportin e sekretarit të përgjithshëm, sikurse është bërë i qartë edhe qëndrimi i Prishtinës, 4- pikëshi dhe është lëshuar një deklaratë presidenciale që në esencë relativizon atë që ishte tendencë e mëhershme, që ky plan të marrë bekimin e përgjithshëm ndërkombëtar. Prandaj, plani gjashtëpikësh mbase mund të jetë presion i ndonjë vendi që të realizohet si i tillë, për ne do të jetë i papranueshëm dhe nuk kujtoj asnjëherë se do të gjejë zbatim në Kosovë", deklaroi kreu i shtetit të Kosovës, duke saktësuar se EULEX-i nuk mund të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës. "Thuhet se EULEX-i duhet të jetë neutral, kjo është thirrja serbe. Por, EULEX-i nuk mund të jetë neutral, sepse është i përbërë mbi 90 për qind që kanë njohur, mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin Republikën e Kosovës", theksoi Sejdiu.
Nga ana tjetër, Presidenti vlerësoi se ka një vonesë në bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u në EULEX dhe në institucionet e Kosovës. Ai u bën thirrje zyrtarëve të EULEX-it të qartësojnë këtë çështje me UNMIK-un, në mënyrë që ky mision të përfundojë me bartjen e përgjegjësive, të paktën në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Sejdiu theksoi se nuk do të tolerohet kthimi i pozicioneve të mëhershme të UNMIK-ut për disa funksione të caktuara, duke thënë se duhet të bartën drejtpërdrejt në institucionet e Kosovës.
Nga ana tjetër, Presidenti vlerësoi se ka një vonesë në bartjen e përgjegjësive nga UNMIK-u në EULEX dhe në institucionet e Kosovës. Ai u bën thirrje zyrtarëve të EULEX-it të qartësojnë këtë çështje me UNMIK-un, në mënyrë që ky mision të përfundojë me bartjen e përgjegjësive, të paktën në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Sejdiu theksoi se nuk do të tolerohet kthimi i pozicioneve të mëhershme të UNMIK-ut për disa funksione të caktuara, duke thënë se duhet të bartën drejtpërdrejt në institucionet e Kosovës.