E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia dhe Bosnja i vënë bllokadë Kosovës

Biznesmenët kosovarë deklaruan se, për shkak të bllokimit të eksportit të mallrave në Serbi dhe Bosnjë, bizneset e tyre po shënojnë humbje. Të dyja këto vende po pengojnë hyrjen e prodhimeve kosovare në territorin e tyre, për shkak të mosnjohjes së vulave të Kosovës. Problemet me eksportin e mallrave nga Kosova në Serbi dhe Bosnjë janë paraqitur këtë muaj, pas kalimit të plotë të përgjegjësive në fushën e doganave nga Misioni i OKB-së tek institucionet vendore, kur edhe ka filluar zëvendësimi i vulave të UNMIK-ut me ato të Kosovës. Bashkim Osmani, prodhues i lëngjeve, është njëri nga afaristët kosovarë, i goditur nga kjo masë e ndërmarrë nga autoritetet e Beogradit dhe të Sarajevës. "Prej 3 dhjetorit, nuk kemi mundur të transportojmë tranzit për Serbi dhe ne e kemi orientuar prodhimin tonë nga Mali i Zi, me qëllim që t‘i dërgojmë në Bosnjë, por kur i kemi dërguar atje, as Bosnja nuk ka pranuar ndërrimin e vulës së UNMIK-ut me atë të Kosovës. Ne i kemi njoftuar autoritetet tona, na kanë premtuar se do të bëjnë çmos, por nëse vazhdon kështu, ne me siguri do ta humbim tregun atje", u shpreh Osmani. Ai sqaron se tregu i prodhimeve të tij në Serbi ka qenë më i vogël dhe i orientuar kryesisht në Luginën e Preshevës dhe në Novi Pazar, përderisa ai në Bosnjë ka qenë më i madh. Humbjet që i janë shkaktuar biznesit të tij për shkak të pamundësisë së eksportit në këto dy vende, vetëm këtë muaj, siç thotë ai, sillen në rreth 150 mijë euro.

Ndërkohë qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Këshilltari i ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Behxhet Haliti, thotë se po shqyrtohen mundësitë e bllokimit të importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja. "Ministria e Ekonomisë dhe Financave, pas shqetësimeve të prodhuesve kosovarë për ato pak produkte që eksportohen për territorin e Bosnjës dhe Serbisë, ka zhvilluar takime edhe me komunitetin e biznesit, me qëllim që të shqyrtojë mundësinë për marrjen e masave reciproke. Pra po shihet mundësia e ndërprerjes së importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnja", u shpreh Haliti. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, eksporti i prodhimeve serbe në Kosovë arrin në 300 milionë euro në vit, ndërsa eksporti i mallrave kosovare në Serbi është më pak se 10 për qind e kësaj shume.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›