E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Festimet ishin madhështore, Kosova e meriton

Prishtinë - Republika e Kosovës ka shënuar dje një vjetorin e Ditës së Pavarësisë. Shënimi i këtij përvjetori të madh u përshkua me manifestime të shumta, organizuar në kryeqytet dhe në të gjitha qytetet dhe vendbanimet e Kosovës. Në këtë ditë të madhe, u përkujtuan të gjithë ata që me sakrificën e tyre në të gjitha kohët kontribuuan që sot të ndërtohet shteti i pavarur dhe demokratik, Republika e Kosovës, shtet të të gjithë qytetarëve të saj.

Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në një mesazh drejtuar popullit shqiptar në Kosovë u shpreh se kremtimet në përvjetorin e parë të pavarësisë së Republikës së Kosovës ishin madhështore, të dinjitetshme dhe u përshkuan me urimet më të mira për këtë të arritur të madhe dhe me dëshirat për prosperitet, zhvillim e rritë të shtetit më të ri në botë në të gjitha segmentet.

Një falënderim i veçantë për organizimin e kremtimeve të Ditës së Pavarësisë, sipas tij, u takon institucioneve të Republikës së Kosovës për organizim madhështor, të gjithë qytetarëve për kremte shembullore, EULEX-it dhe të gjitha misioneve diplomatike në Kosovë, forcave të sigurisë, Policisë së Kosovës e KFOR-it, që garantuan siguri për të gjithë qytetarët e Republikës në ditën e kremtes.

“ Kremten e Ditës së Pavarësisë e madhëruan edhe shumë burrështetas nga të katër anët e globit, të cilët me mesazhe e letra përgëzimi, uruan institucionet dhe popullin e Kosovës për kremten e parë të pavarësisë. U jemi falënderues atyre për të gjitha mesazhet e urimit”, tha presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›