E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Kosova e pavarur ka qenë vizioni i Presidentit Rugova

Prishtinë - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e 64-vjetorit të datëlindjes.

“Vizioni i Presidentit Rugova ka qenë Kosova e pavarur. Kosova është e pavarur, por është edhe me sfida", theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se “në këtë ditë e nderojmë Presidentin Rugova, një kujtim i përhershëm për veprën dhe punën e tij jetësore dhe për sakrificën e tij për Kosovën”.
Sipas Presidentit Sejdiu, e gjithë veprimtaria e Presidentit Rugova lidhet me porosi të veçanta, krahas asaj që ka ndërtuar në pjesën aktive të jetës, për dekada, po ashtu edhe në pjesë e mbetur si trashëgimi e veçantë për ne institucionet e Kosovës. "Vizioni i Presidentit Rugova ka qenë vizion për të pavarësuar Kosovën. Kosova është e pavarur. Natyrisht, Kosova është me sfida dhe ne s'themi se kanë përfunduar sfidat për Kosovën, në kuptimin e zhvillimit të saj, në kuptimin e mirëqenies së përgjithshme të saj", vijoi Presidenti Sejdiu. Ai, gjithashtu, tha se vendi ka probleme të determinuara në kuptimin edhe ekonomik edhe social, dhe probleme të tjera, sepse, ka edhe hasretxhinj që presin dhe bëjnë punë për ta minuar ecjen e Kosovës.

“Në esencë është ai vizion dhe ne ia dimë për nder të veçantë edhe për trashëgiminë që na e ka lënë, në kuptimin politik, edhe të vetes së tij, por edhe të themeleve të rëndësishme që ka vënë për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës", tha Presidenti Sejdiu duke folur për figurën e Ibrahim Rugovës.

"Kosova është e pavarur dhe këtu nuk ka asnjë dilemë. Kosova ka shumë miq dhe këta janë të dëshmuar dhe do të ecim në rrugën e mëtejshme të zhvillimeve të reja", pohoi Presidenti Sejdiu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›