E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Serbia ‘ushqen’ strukturat paralele

Prishtinë-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA deklaroi se Kosova ka marrëdhënie shumë të mira me Maqedoninë dhe se këto marrëdhënie së shpejti do të ngrihen në nivel diplomatik dhe të ambasadorëve. Sejdiu ka zbardhur të vërtetat se si Beogradi zyrtarë kishte bërë presione të shumta ndaj Maqedonisë për të mos e njohur shtetin e Kosovës.

Ai theksoi se njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi ka ndodhur në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin në përgjithësi.
“Këto njohje të dy vendeve fqinje kanë ardhur në një moment tepër të ndjeshëm dhe shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, por edhe për Ballkanin dhe rajonin në përgjithësi. Këto njohje erdhën në një kohë kur Serbia ka trumbetuar shumë se nuk do të kishte njohjen e atyre vendeve fqinje. Për këtë Serbia, ka "shpenzuar" shumë dhe ka bërë presione të shumta”, theksoi Sejdiu.

Presidenti kosovar ka deklaruar se Beogradi zyrtarë që prej momentit të shpalljes së pavarësisë ka punuar kundër njohjes së shtetit të Kosovës.

“Beogradi tërhoqi ose largoi ambasadorët e vendeve që njohën të parat Kosovën, me të vetmin qëllim që t'u bëjë presion vendeve të tjera, e sidomos vendeve fqinjë që të mos njohin pavarësinë e shtetit të Kosovës. Çdo veprim iracional i Serbisë, deri tek dërgimi i çështjes së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, ka qenë presion i madh ndaj të gjitha vendeve që njohën Kosovën e sidomos për vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi”, është shprehur Sejdiu.

Presidenti i Republikës së Kosovës ka folur edhe për situatën aktuale në Mitrovicë dhe Luginë të Preshevës. Ai ka theksuar se Serbia gjithmonë në kohë dhe situata të veçanta, ka tentuar që të krijojë tensione e turbullira eskaluese, si në veri të Kosovës, po ashtu edhe në vendbanimet shqiptare në Preshevë, Bujanovc e Medvegje.

“Këto turbullira e tensione janë "paralele dhe zigzage" sido që t’i krahasojmë ato, qoftë në një hark, qoftë në një hark hapësinor. Natyrisht se Serbia i “ushqen” këto struktura paralele në Kosovë, duke harxhuar edhe shuma të mëdha parash, duke shfrytëzuar edhe ndihmat që merr nga vendet e ndryshme Evropiane, të cilat vetëm vitin e kaluar kanë shpenzuar deri në 200 milionë euro”, theksoi Sejdiu.

Sipas tij, në të njëjtën kohë Beogradi kërkon të instalojë krizën edhe në Luginën e Preshevës.
“Serbia bëri një fushatë arrestimesh të të rinjve shqiptarë, duke shtuar tensionet në ato tri komuna shqiptare. Ndaj të arrestuarve ka aktakuza absurde dhe të njëjta që Beogradi ngre ndaj shqiptarëve edhe në kohën e Milosheviçit. Beogradi akuzon si terrorist edhe fëmijët, siç është rasti i fundit më 26 dhjetor 2008, me arrestimet në Preshevë, pasi akuza thotë që disa prej tyre kanë kryer vepra gjoja terroriste kur ata kanë qenë 14 -15 vjeç. Kjo është edhe më e pabesueshme, kur ngrihen akuza të tilla edhe ndaj fëmijëve. Kjo bëhet për të krijuar një tension artificial në vendbanimet shqiptare.

Dëshira e Serbisë sot është të krijojë si në veri të Kosovës edhe Kosovën Lindore situata krize për të provokuar qytetarët, në mënyrë që ata, sipas planit serb, të kalojnë në veprime të pamatura e të pakontrolluara”, theksoi Sejdiu.
Presidenti shqiptar shprehet me optimizëm, ai beson se procesi i njohjes së Kosovës do të vazhdojnë dhe se Kosova do të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare siç është OKB-ja, Banka Botërore etj.

“Unë u bashkohem atyre që mendojnë se procesi i njohjes së Republikës së Kosovës deri më tani ka ecur mirë. Është bërë një punë e mirë dhe është një njohje pozitive njohja e 55 shteteve dhe ne kemi sinjale për njohje të reja të shtetit të Kosovës. Është e natyrshme se ne kemi një njohje të kualitetit të veçantë nga 55 vende të botës. Por ne kemi nevojë që të kemi më shumë njohje për të pasur qasje në mekanizmat ndërkombëtarë siç është OKB-ja, meqë Kosova mëton të jetë anëtare e saj”, është shprehur Sejdiu.

Lidhur me debatet për planin gjashtë pikësh të OKB-së, presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që rrezikon integritetit territorial të Kosovës.

“Çdo gjë që nuk ka marrëveshjen dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me institucionet e Republikës së Kosovës është e papranueshme dhe nuk vihet fare në "tryezë" nëse ka inicime të tilla. Mbase mund të ketë nxitje nga kënde të ndryshme, me kërkesat e Beogradit, që ta trajtojnë edhe UNMIK-un si subjekt të veçantë në aspektin ndërkombëtar dhe si të "plotfuqishëm", por të gjithë ata që mendojnë e veprojnë kështu gabohen shumë! Pasi UNMIK-u është në ditët e fundit dhe në përfundim të misionit të tij në Kosovë, ne dëshirojmë që ky mision të përmbyllet ashtu edhe siç është paramenduar. Pra, të jetë bartës i asaj çfarë ai ka pasur mundësi të bënte me EULEX in, derisa çdo përgjegjësi t'u kalojë institucioneve të Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Përfitoj nga kjo intervistë theksoi presidenti kosovar, të përsëris dhe një herë atë çfarë së bashku me kryeministrin Thaçi e kemi thënë në Kosovë, se nuk mund të ketë asnjë lloj marrëveshjeje ose zbatim të çfarëdolloj dokumenti as të ashtuquajturit "gjashtë pikësh" dhe të dokumenteve të tjera pa pëlqimin e institucioneve të Kosovës, sidomos të atyre formave që nga ne konsiderohen si një ndërhyrje në sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›