E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Zbatimi i strategjisë se veriut kërkon veprime energjike

PRISHTINE-  Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaron se strategjia që parasheh integrimin e veriut të Kosovës është inkurajuese që në këtë pjesë të vendit të vendoset rendi dhe ligji. Në një intervistë ekskluzive për radion DW Sejdiu shton se edhe më herët ka pasur hapërsira të veprohet me projekte më të drejtëpërdrejta në veri. “Ka pasur hapësirë dhe mundësi që të veprohet edhe më herët. Kemi kaluar dhjetë vjetë të plota dhe sidomos në periudhën e administrimit të Kombeve të Bashkuara është dashur që të ketë projekte më të drejpërdrejta në kuptimin integrues të qytetarëve dhe në kuptimin e zgjidhjes së shumë problemeve në radhë të parë edhe jetësore të tyre. E dyta ka qenë një vonesë e paarsyeshme e shtrirjes së misionit EULEX me të gjitha kapacitetet në veri të Kosovës. Por, them se veprimet e tashmë janë inkurajuese dhe strategjia për veriun është në të njejtën linjë me angazhimet edhe kosovare edhe ndërkombëtare për të vënë rend dhe ligj në këtë pjesë të Kosovës.” Sipas presidentit Sejdiu e rëndësishme tani është që të zbatohet strategjia për veriun dhe për këtë kërkohen veprime energjike: “Zbatimi i strategjisë për veriun nuk duhet të bëhet në mënyrë të dhunshme, sepse do të ishte kundër njerëzve të Kosovës, mirëpo, e them se duhet të shkohet në mënyrë energjike për të vënë rend dhe ligj dhe ata që janë përgjegjës për veprat e kryera natyrisht të përgjigjen para ligjit.” Ai thotë se strukturat paralele serbe duhet të shuhen përfundimisht dhe personat që janë në krye të tyre dhe që kanë bërë vepra penale në veri të Kosovës duhet të përballen me ligjin. Grupi Ndërkombëtar për Kosovën, i cili diskutoi të hënën në Vjenë strategjinë e qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për Veriun, i dha mbështetje të plotë kësaj strategjie.  Përpjekjet e Prishtinës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare për zbatimin e strategjisë për integrimin e Veriut dhe krijimin e komunës së Mitrovicës veriore janë kundërshtuar nga Beogradi zyrtar. Sekretari i shtetit në Ministrinë serbe për Kosovën dhe Metohinë, Oliver Ivanovic, u ka deklaruar mediave lokale në Kosovë se serbët e asaj pjese nuk kanë nevojë për komunën e krijuar nga Prishtina, sepse sipas tij ata kanë komunën e tyre të krijuar nga Beogradi. (s.g/DW/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›