E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu: Zgjedhjet të jenë shembull i pjekurisë politike

PRISHTINE-Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka bërë apel për këto zgjedhje.“Më 15 nëntor, për herë të parë në shtetin tonë të pavarur, demokratik dhe sovran, të njohur ndërkombëtarisht, do të mbahen zgjedhjet lokale. Kjo është një ditë solemne, që secilit qytetar të Kosovës i jep mundësinë të realizojë të drejtën themelore për të zgjedhur lirisht kryetarin e komunës dhe anëtarët e Kuvendit të Komunës në të cilën jeton, dhe të cilët do të marrin përgjegjësitë për zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor, në interes të qytetarit dhe komunës në katër vjetët e ardhshme”, tha fillimisht presidenti Sejdiu. Sipas Sejdiut, ky proces zgjedhor për herë të parë do të menaxhohet plotësisht nga institucionet e Kosovës, ndërsa organizatat dhe miqtë ndërkombëtarë do të kenë rolin e vet të veçantë ndihmës e monitorues, duke shtuar se nesër, një muaj përpara kësaj dite solemne të votimit, do të fillojë zyrtarisht fushata për këtë proces zgjedhor. “Sot, në prag të fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi në mënyrë që këto zgjedhje të jenë shembull i pjekurisë politike dhe institucionale në shtetin tonë të dashur”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike për të nënshkruar Kodin e Mirësjelljes.

Në fund, Presidenti Sejdiu përkujtoi përfaqësuesit e subjekteve politike se nënshkrimi i tyre, zotimi i tyre, është një zotim për të respektuar principet bazë të shprehjes dhe pjesëmarrjes demokratike, ndërsa zhvillimi i këtij procesi zgjedhor është rasti për të dëshmuar përkushtimin tonë për t’u integruar në BE, në NATO dhe në strukturat ndërkombëtare.
(m.a/rtk/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›