Sejdiu priti një grup studentësh gjermanë
Prishtinë - “Në Kosovë sigurisht që do të takoni shumë njerëz, shumë familje që kanë përjetuar tragjedi të mëdha gjatë ditëve të luftës 1998-’99, por ne si institucione dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës atë tablo të dhembshme do ta mbajmë vetëm në kujtesë, sepse jemi të vendosur të shikojmë kah e ardhmja dhe integrimi sa më i shpejtë i vendit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, gjatë një takimi që pati sot me një grup studentësh të Universitetit të Osnabrück-ut, të cilët po qëndrojnë për një vizitë njëjavëshe në Kosovë. “Gjermania ka qenë shtëpi e dytë për mijëra shqiptarë të Kosovës. Ajo e ka ndihmuar vendin tonë në të gjithë fushat e jetës si para, ashtu edhe pas luftës dhe ne i jemi mirënjohës përherë asaj për gjithë atë që ka bërë për ne”, vijoi Presidenti Sejdiu. Po ashtu, ai theksoi se Republika e Kosovës tashmë ka hyrë në vitin e dytë të pavarësisë së saj, e cila u arrit falë rezistencës së përgjithshme të popullit të Kosovës dhe ndihmës së pakursyer të miqve tanë, të cilët po e mbështesin Kosovën edhe në proceset e sotme të forcimit të demokracisë dhe të rendit ligjor në vend.