E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet per ne 4 korrik gjyqi ndaj UNMIK per vrasjen e 2 kosovareve

Prishtinë, 20 mars, 09:01, NOA- Seanca dëgjimore në rastin Balaj dhe të tjerët kundër UNMIK-ut është shtyrë për 4 qershor. Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut i është sugjeruar nga UNMIK-u, që për shkaqe sigurie, seanca të jetë e mbyllur.

Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut ka shtyrë seancën dëgjimore për rastin e Balajt dhe Xheladinit, ku avokatët e familjarëve është dashur të paraqesin ankesat ndaj UNMIK-ut në lidhje me 10 shkurtin e vitit 2007.
Në këtë ditë, në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje u vranë Mon Balaj dhe Arben Xheladini nga plumbat e gomës, të shkrehur nga forcat e sigurisë së UNMIK-ut.

Askush nga ana e UNMIK-ut nuk pati marrë përgjegjësi.
“Tash disa muaj po presim dëgjim publik dhe dje, në mesditë, pa asnjë konsultim, jemi informuar se për shkaqe sigurie, të shprehura nga UNMIK-u, nuk do ketë dëgjim publik dhe dëgjimi do jetë i mbyllur. Qëndrimi i familjarëve ka qenë që ata nuk janë të përgatitur të marrin pjesë në një dëgjim të mbyllur", thonë përkrahës të Vetëvendosjes.

“Duhet të theksoj se nuk kam ide se për çfarë shqetësimesh sigurie është bërë fjalë dhe nëse në të vërtetë kanë ekzistuar të tillat. UNMIK-u nuk ka siguruar detaje as për ne, e as për familjet dhe nuk e dimë se çfarë informacionesh i janë ofruar panelit”, tha Paul Troop nga Tooks Chambers, që po përfaqëson falas familjarët.
Seanca e hapur ishte caktuar të mbahej qysh vitin e kaluar. Kjo u konfirmua dy ditë më parë nga Paneli, që saktësoi se seanca do të mbahej në ish-selinë e UNMIK-ut, tani e EULEX-it.

Por, më vonë është vendosur që seanca të mbahej e mbyllur në selinë e tashme të UNMIK-ut, në periferi të Prishtinës. UNMIK-u nuk ka dhënë detaje se cilat janë shqetësimet e sigurisë, që pamundësuan dëgjimin publik.
NOA-INA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›