E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për tokën zgjidhet me sëpata

Një tjetër ngjarje e përgjakshme, për shkak të konfliktit për pronën, ka ndodhur të dielën. Mosmarrëveshjet për të drejtën e pronësisë mbi një kullotë kanë përfunduar me përdorimin e sëpatave nga tre persona të të njëjtit fis në fshatin Zboq të Rrethit të Korçës.

Policia lokale njoftoi dje se një konflikt pronësie ka shkaktuar një të plagosur në fshatin Zboq, ku nipi është grindur me xhaxhain e tij për kullotën, duke e qëlluar atë me mjete të forta në kokë. Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur 62-vjeçari Bedri Ganollari është përplasur me nipin e tij, 45-vjeçarin Andon Ganollari. Burime të policisë thanë se nipi dhe xhaxhai i tij kanë pasur një grindje rreth orës 18:15 të mbrëmjes së të dielës, për një sipërfaqe toke kullosore që u përkiste dy familjeve.

Mosmarrëveshjet kanë çuar në acarim të bisedës midis dy të afërmve, ndërsa më tej, 45-vjeçari Andon Ganollari, duke shfrytëzuar edhe moshën e tij më të re, ka sulmuar fizikisht xhaxhain. Në sherr e sipër, ai ka rrëmbyer edhe një sëpatë me të cilën ka qëlluar në kokë xhaxhain. Por fatmirësisht, 45-vjeçari ka logjikuar për një moment dhe nuk e ka përdorur sëpatën nga ana e presës, por nga ana e kundërt. Gjithsesi, goditja në kokë ka qenë e fortë dhe 62-vjeçari ka rënë pa ndjenja përtokë, i mbuluar në gjak. Në sherr, sipas policisë, është përfshirë më vonë edhe djali i 62-vjeçarit, i cili ka përdorur gjithashtu një sëpatë për të marrë hakun e babait, por fatmirësisht nuk ka arritur të dëmtojë seriozisht shëndetin e ndonjë personi. Policia tha se 62-vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës. Mjekët e spitalit thanë se burri ka një plagë të rëndë në kokë, që mund t‘i rrezikojë edhe jetën.

Por, megjithëse plagosja konsiderohet e rëndë nga mjekët, policia që shkoi vendngjarje nuk ka marrë masa drastike. Kështu, 45-vjeçari Andon Ganollari është lënë i lirë pas marrjes në pyetje. Zyrtarisht, policia ka ngritur ndaj tij akuzën për plagosje të lehtë me dashje dhe ka vlerësuar hetimin në gjendje të lirë si masën e duhur që duhej marrë.

Në ndjekje penale është dërguar edhe djali i të plagosurit, Hajredin Ganollari, i cili ka ndërhyrë për të mbrojtur të atin e qëlluar nga kushëriri, duke përdorur gjithashtu sëpatën ndaj të afërmit të vet.

Konflikti i pronësisë mes dy familjeve ka rrezikuar të kthehet në një tragjedi. Ndërkohë, policia ka tentuar të pajtojë palët, në vend që të ndëshkojë sipas ligjit personin që rrezikoi jetën e tjetrit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›