E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari amerikan i Mbrojtjes telefonon ministrin Imami

“Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit”, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-ve, Leon Panetta, duke shprehur njëkohësisht të gjithë gatishmërinë e qeverisë amerikane, për çdo ndihmë në rast nevoje. Një qëndrim të tillë, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve te Bashkuara të Amerikës, Leon Panetta e bëri me dije gjatë telefonatës që zhvilloi sot pasdite me ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami, lidhur me aksidentin e ndodhur në Kandahar, ku mbeti i vrarë kapiten Vogli dhe i plagosur rëndë nën tetar Peci.  “Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për tu vlerësuar thellë”, tha z. Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan vlerëson shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e SHBA-ve dhe populli i madh amerikan ka dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.
“Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kuraje dhe profesionalizëm të lartë”, u shpreh z. Imami. Ministri i Mbrojtjes shtoi se ne jemi krenarë që ndodhemi bashkërisht në disa operacione në Afganistan.
Ministri Imami i konfirmoi  sekretarit Panetta angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›