E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretaritë çelin sot regjistrimet e fazës së katërt

11/12/2008  Publikohet rishpërndarja e re e fituesve në universitete për sistemin e ditës

Hapen sërish procedurat e regjistrimeve për kandidatët që janë shpallur fitues në fazën e katërt të pranimeve në universitete. Sekretaritë e fakulteteve publike në të gjithë vendin janë udhëzuar për hapjen e procesit të regjistrimeve për të rinjtë e shpallur fitues në bazë të preferencave të plotësuara në formularin A-4. Aktualisht janë shpërndarë pranë këtyre institucioneve të arsimit të lartë jo vetëm listat me kandidatët e rinj fitues të përzgjedhur gjatë kësaj faze, por edhe procedurat dhe afatet e regjistrimit, të cilat do të zgjasin për 6 ditë me radhë, duke nisur nga mëngjesi i ditës së sotme. Pjesa dërrmuese e pranimeve gjatë kësaj faze u përkasin fakulteteve të rretheve, për të cilat në fazat e mëparshme nuk është treguar shumë interes nga maturantët.

Afatet

Sekretaritë mësimore çelin edhe një tjetër raund regjistrimesh për pranimet akademike të studimeve me kohë të plotë për vitin akademik 2008-2009. Afatet e përcaktuara për fituesit e fazës së katërt nisin që nga mëngjesi i ditës së sotme, për t’u mbyllur më 16 dhjetor në orët e mbrëmjes. Procedurat e regjistrimit do të jenë të njëjta si ato që janë ndjekur në fazat e mëparshme të publikimit të kandidatëve fitues. Me mbylljen e fazës së tretë të pranimeve në universitete mbetën sërish mbi 2500 kuota të paplotësuara, për të cilat u hartua një shpërndarje e re preferencash nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve. Ndonëse kanë qenë të shumta mundësitë e ofruara për këtë vit akademik, për maturantët që nuk kanë rezultuar fitues në asnjë nga programet e studimeve të larta, sërish degët e fakulteteve në rrethe kanë ngjallur një interesim të ulët. Situatë kjo që ka çuar në hapjen e fazave të vazhdueshme të regjistrimeve për këto degë. Për universitetet e kryeqytetit gjatë fazës së fundit të aplikimeve kanë rezultuar kuota bosh vetëm pranë Universitetit Bujqësor për degë të caktuara, siç janë zootekni, biznes blegtoral dhe vreshtari-enologji, si dhe në filialet e hapura për herë të parë gjatë këtij viti në qytetin e Lushnjës.

Dokumentet

Kandidatët që janë shpallur fitues për të marrë statusin e studentit duhet të paraqesin dosjen individuale të dokumenteve origjinale pranë sekretarive mësimore në afatet e përcaktuara më lart. Dosja duhet të përmbajë dëftesë pjekurie origjinale, dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Gjithashtu duhet të dorëzohen edhe fotokopja e dokumentit të identifikimit si dhe 2 fotografi. Nuk duhet të mungojë edhe mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekë (nr. i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›