Sekretarja e PS nuk zgjidhet delegate e Kongresit
Haxhihymeri: Unë mendoj që ky është problemi më i madh që ka PS-ja sot. Rama po bën opozitën e kasapit, po heq pjesë të trupit të PS-së, sepse nuk i dhimbset dhe kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e kuptueshme
Megjithëse ende mban postin e Sekretares për Shanset e Barabarta në PS, Edlira Haxhihymeri nuk do të jetë e pranishme në Kongresin e 8 Majit. Kjo, jo për shkak tՃ ndonjë angazhimi të sajin, por sepse nuk është zgjedhur si delegate në këtë Kongres. Dhe natyrisht, jo sepse nuk e votuan socialistët në votimin e 22 tetorit, por sepse emri i saj nuk u përfshi fare në listat e kandidatëve për delegatë që u hodhën për votim. Gjatë një reagimi për mediat, ajo duke denoncuar këtë fakt, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes së mendimeve në të cilën ndodhet aktualisht PS-ja. “Ne jemi përjashtuar prej kohësh. Kemi më se dy vjet që jemi të paangazhuar nga ana e lidershipit, duke qenë të zgjedhur, lideri zgjodhi të mos na përfshinte në aktivitetet politike të partisë dhe tashmë i ka ngelur vetëm momenti final për të ekzekutuar sjelljen e tij. Kjo nuk ishte eksperienca e parë e votimit brenda partisë. Ne kemi përjetuar një eksperiencë të tillë edhe në 2007-ën, por ishte me përmasa të vogla, më e kontrolluar dhe më e kujdesshme. Tashmë procesi ishte totalisht nën kontrollin e kryetarit dhe të grupit që menaxhon kryetari, duke filluar që nga listat e votuesve, tek listat e kandidatëve, tek rezultatet”, - tha Haxhihymeri. Duke iu përmbajtur kësaj teme, ajo ka theksuar se për sa kohë një forcë nuk arrin standardet demokratike të zgjedhjeve në parti, nuk mund t’i pretendojë ato as në garat e vërteta përballë kundërshtarëve. “Procesi i zgjedhjeve në parti ishte rëndë i dëmtuar, por nga ana tjetër tregoi ose na provoi që një parti politike, e cila nuk është në gjendje të realizojë një proces demokratik brenda vetes, nuk ka më moralin për të kërkuar zgjedhje demokratike në shoqëri. Unë mendoj që ky është problemi më i madh që ka PS-ja sot. Rama po bën opozitën e kasapit, po heq pjesë të trupit të PS-së, sepse nuk i dhimbset dhe kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e kuptueshme”, - tha Haxhihymeri, ndërsa ka paralajmëruar se Rama do përdorë Kongresin dhe proceset e mëpasshme zgjedhore për spastruar radhët e strukturave drejtuese nga kundërshtarët e tij.