E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Nuk i heqim pagat referuese

TIRANË- Ministri i Financave, Ritvan Bode, ka rrëzuar dje të gjitha kërkesat e biznesit për zgjidhjen e krizës. Ai ka mohuar kategorikisht heqjen e sistemit të pagave të referencës për biznesin duke e cilësuar atë si një ligj të mirë. Gjatë një daljeje për mediat ditën e djeshme, ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi edhe njëherë se, nuk do të ketë ndryshime në këtë aspekt dhe se, pagat referuese janë dukshëm nën nivelin e vërtetë të pagave që paguhen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. "Ne do vijojmë të mbajmë instrumente të tilla që mundësojnë trajtimin e njëjtë dhe të barabartë të të gjithë aktorëve që veprojnë në tregun e brendshëm. Çdo kompani që vërteton se pagat i ka më të ulëta se sa pagat referuese administrata tatimore është e detyruar në mënyrë të menjëhershme t'i njohë atë sistem page që deklaron biznesi, por këto bëhen përmes një hetimi tatimor",- tha Bode duke theksuar se, deri më tani asnjë biznes nuk ka kërkuar të hetohet dhe verifikohet në mënyrë të detajuar nga administrata tatimore për të vërtetuar që pagat referuese janë më të larta se ato që aplikohen realisht nga komuniteti i biznesit.
Në këtë mënyrë, Bode i jep përgjigje thelbit të kërkesave të vazhdueshme që komuniteti i biznesit i ka bërë qeverisë duke i kërkuar masa konkrete për të përballuar pasojat negative që mund të sjellë kriza globale në vend. Në lidhje me kërkesën e bizneseve për lehtësira fiskale duke favorizuar disa sektorë në nivelin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë që ata importojnë, Bode u tha se, makineritë dhe pajisjet që importohen nga bizneset nuk taksohen në mënyrë të menjëhershme. "Afati për pagimin e TVSH-së ka qenë një vit dhe ne e kemi bërë dy, dhe investimet që fillojnë dhe nuk mbarojnë në harkun e dy viteve janë të rralla, por për këto lloj investimesh e shtyjmë edhe për dy vite të tjera. Një vit është në mënyrë automatike, një vit tjetër bëhet me kërkesë pranë autoritetit doganor dhe përtej këtij afati është ministria e Financave që autorizon për investime me vlera të mëdha, shtyrjen e pagimit të saj",- u shpreh ai.
Ditën e shtunë, kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë, Gjok Uldedaj, i këshilloi qeverisë një paketë masash, të cilat sipas tij do ta ndihmonin mbarëvajtjen e mirë të biznesit në këtë situatë, ku vërehet një mungesë likuiditeti, ulje të eksporteve dhe të dërgesave të emigrantëve. Gjithashtu, ai shprehu pasigurinë që ndjejnë bizneset në këto kohë paqartësish financiare. "Ne nuk mund të jemi më të qetë kur shohim se bankat janë gjithnjë e më dorështrënguara në kreditimin e biznesit, kur tregut ka filluar t'i mungojë likuiditeti, apo kur dërgesat e emigrantëve që janë burim konsumi dhe investimi kryesisht për biznesin e vogël, po bien", u shpreh të shtunën Uldedaj.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›