UNFPA, 2 milionë dollarë INSTAT-it për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave
Fondi i Kombeve të Bashkuara për popullsinë i ka akorduar Institutit të Statistikave shumën prej 2 milionë dollarë për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave që do të kryhet në vitin 2011. Në ceremoninë e takimit morën pjesë drejtuesit më të lartë të INSTAT-it dhe përfaqësues të agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri si dhe vetë shefja e Misionit të OKB-së, znj. Gulden Turkoz Cosslett. Në fjalën e hapjes drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT-it, znj. Ines Nurja, u shpreh: “INSTAT po përgatitet të bëjë Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave në vitin 2011. Puna më e madhe përgatitore për këtë event kaq të rëndësishëm është viti 2010 ku do të realizohen një sërë aktivitetesh përgatitore dhe do të ngrihet e gjithë baza materiale e logjistike për të kryer një regjistrim sa më të suksesshëm të popullsisë në vitin 2011. INSTAT, krahas mbështetjes së madhe financiare të qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Evropian, po e realizon këtë regjistrim në bashkëpunim më shumë donatorë të tjerë. UNFPA është një nga donatorët që i është gjendur në krah INSTAT-it për realizimin e shumë projekteve, por në veçanti dhe të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave”. Më tej, Nurja shtoi: “Po inaugurojmë një nga investimet më cilësore që ka të bëjë me ngritjen e sistemin të dixhitalizimit të të dhënave, duke përdorur hartat dixhitale nëpërmjet sistemit të informimit gjeografik. Më pas, shefja e Misionit të OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden, tha: “Është kënaqësi që jemi mbledhur sot me rastin e dhurimit të pajisjeve për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA). Këto pajisje do të përdoren nga sektori i Hartografisë së INSTAT-it dhe me ndihmën e tyre INSTAT do të ketë mundësi të konvertojë hartat e regjistrimit në një bazë të dhënash hartografike të regjistrimit të popullsisë, pra dixhitalizimin e hartave të zonave të regjistrimit, të procesojë dhe të kodojë të dhënat dhe të përpilojë e prodhojë harta me mbulim të gjerë”. Kështu, futja në zbatim e bazës së të dhënave hartografike të Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave do të kontribuojë gjithashtu në krijimin e infrastrukturës së të dhënave hapësinore kombëtare për statistikat sipas standardeve dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.