E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestro pronave të anëtarit të Bandës së Durrësit

10/03/2011  Gjykata vendos të bllokojë 2000 m 2 të të ndjerit Klodian Saliu

Bllokohet edhe restoranti, lihen të lira llogaritë bankare

TIRANË- Dy sipërfaqe tokësore 1500 dhe 500 m2, një automjet Benz dhe një restorant në zonën e “Rinisë” në Durrës që i përkisnin të ndjerit Klodian Saliu janë konfiskuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vendimi është marrë dje, ku rreth orës 14:00 gjyqtari Dritan Hallunaj lexoi pasuritë që duhet të konfiskoheshin, si dhe pasuritë që duhej t’i hiqej masa e sekuestros të vënë nga Prokuroria. Sipas togave të zeza, në përfundim të këtij gjykimi gjykata ka vendosur të konfiskojë pasurinë e shtetasit të vdekur Klodian Saliu, pasi ky i fundit mendohet se ka qenë pjesë e Bandës së Durrësit, si dhe ka kryer trafik të lëndëve narkotike në Itali. Gjykata urdhërori administratorët e zyrës së konfiskimit të pasurive pranë Ministrisë së Financave që të administrojnë pasuritë e konfiskuara, ndërsa për dy depozita bankare me 1 946 267 lekë urdhëroi heqjen e masës së sekuestros, duke ia rikthyer sërish familjarëve të të ndjerit Klodian Saliu. Pasuritë e konfiskuara, dyshohet se janë vënë si rezultat i të ardhurave kriminale që Klodian Saliu ka fituar nga trafikimi i heroinës dhe prostitutave. Pritet që vendimi i shkallës së parë që lejon konfiskimin e këtyre pasurive, të apelohet nga avokatët mbrojtës, të cilët pretendojnë se e gjithë pasuria që disponon familja Saliu, është si rezultat i të ardhurave nga emigracioni dhe jo nga ato që thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Klodian Saliu, njihet si numri dy i Bandës së Durrësit. Pas ndarjes në dy pjesë të kësaj bande, dyshohet se ai është vrarë nga Lulzim Berisha, i cili ndodhet i izoluar në burgun 313 në Tiranë.

Pronat e konfiskuara

Pronë truall me sipërfaqe 1500 m2 në Durrës

Pronë truall me sipërfaqe 500 m2 në Durrës

Godinë, dykatëshe Bar-Restorant

Një autoveturë Benz

Lirohen

Dy depozita kursimi në shumën 1 946 267 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›