E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet faqja në internet, informacione nga Podgorica e Shkodra

10/03/2011  Informacione nga krijimtaria letrare muzikore, drama, filmi dhe arsimi në 2 gjuhët

SHKODER- Përfaqësues të Universitetit të Shkodrës dhe të shoqatave kulturore nga Shkodra dhe të një shoqate kulturore nga Podgorica e Malit të Zi kanë prezantuar hapjen e faqes së përbashkët zyrtare në internet të projektit “Dy gjuhë një libër”. Gjatë prezantimit të kësaj faqeje në internet, përfaqësuesit e Shkodrës dhe të Podgoricës sqaruan dhe qëllimin e organizimit të saj në veçanti dhe të projektit në përgjithësi. Nëpërmjet kësaj faqeje të përbashkët në internet synohet afrimi i dy popujve dhe njohja edhe më shumë prej tyre e kulturës shqiptare dhe malazeze. Projekti, i vlerësuar si mjaft i rëndësishëm në të dy anët e kufirit është i financuar nga Komuniteti Evropian me angazhimin kryesor të universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, organizatës kulturore në Mal të Zi dhe shoqatës kulturore “Camaj-Pipa” në Shkodër. Gjatë konferencës për shtyp, të organizuar në Universitetin e Shkodrës, përfaqësuesja e Malit të Zi, Maria Gjuriq, u shpreh se është e dobishme që dy popuj kaq afër njëri-tjetrit të shkëmbejnë informacione rreth zhvillimeve kulturore, letrare, apo me gjithë çfarë ndodh në vendet fqinje me njëra –tjetrën. “Besoj që ky projekt i përbashkët që kemi ndërmarrë, i shtrirë në dy anët e kufirit, ka për të qenë diçka interesante, por edhe më e rëndësishmja që do realizojmë. Ky projekt është paraqitur kaq mirë sa është cilësuar si një projekt i shkëlqyer prej njerëzve të njohur të të dy vendeve. Kam pasur kënaqësi që nëpërmjet këtij uebsajti kam arritur të njihem me zhvillimet e çmimet në letërsi në kinematografi, opera pjesë teatrore etj”, theksoi Gjuriq. Nga ana e tij përfaqësuesi i Shkodrës, pedagogu i letërsisë Hasan Leka, njëkohësisht dhe drejtues i shoqatës kulturore “Camaj-Pipa” ka theksuar se projekti synon të tregojë vlerat e secilit vend dhe të ballafaqojë arritjet më të mira. Në faqen e përbashkët të internetit, të Shkodrës dhe Podgoricës do të përfshihen informacione të reja nga krijimtaria letrare muzikore, drama, filmi dhe arsimi në gjuhën malazeze dhe shqipe. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›