Sekuestron 5 kg marihuanë, ndalohet pasagjeri i autobusit
GJIROKASTËR- Brenda 24 orëve të fundit, efektivat e Policisë së Shtetit, në Qarkun e Gjirokastrës, kanë goditur një rast të dytë të tentativave të trafikimit të lëndëve narkotike. Pas sekuestrimit të rreth 1 kilogramëve marihuanë dhe ndalimit të një të riu nga Kosova, policia lokale ka bllokuar sërish 5 kilogramë marihuanë, si dhe ka ndaluar personin e dyshuar si transportues i saj. Në autobusin e linjës Tiranë-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë, Gjirokastër, kishte hipur një i ri që dyshohej se mund të transportonte lëndë narkotike. Mbështetur mbi këtë informacionin, agjentët e antidrogës në bashkëpunim me kolegët e tyre të Policisë së Rendit dhe Qarkullimit Rrugor kanë ngritur postoblloqe kontrolli, përgjatë rrugës kombëtare Gjirokastër-Tepelenë. Autobusi në të cilin udhëtonte personi i dyshuar i është nënshtruar kontrollit të policisë, në afërsi të vendit të quajtur Virua. Gjatë kontrollit, në fund të autobusit, efektivat e policisë zbuluan disa çanta shpine”. Në njërën prej tyre gjetëm disa pako të mbështjella me letër natriban, ku brenda tyre kishte lëndë narkotike. Po në këtë çantë u konstatua edhe një qese plastmasi, ku në brendësi të saj kishte lëndë narkotike mariuanë, në formë boçe”, thonë burimet policore. Autobusi, si dhe dhjetë pasagjerët që udhëtonin në të, janë shoqëruar për në mjediset e policisë lokale. Sipas burimeve në grupin hetimor, gjatë hetimeve u arrit në konkluzionin se ngarkesa prej 5 kilogramë marihuanë i përkiste pasagjerit të autobusit, 28-vjeçarit, Ermal Çela nga Tirana. Sasia e marihuanës ishte blerë në fshatin Lazarat dhe do të tregtohej në doza të vogla në klubet e natës, si dhe në ambientet universitare në Tiranë. Mbi të ndaluarin E.Çela rëndon akuza për veprën penale të “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.