"Selam alekum, bombë në Rinas"
Dashamir Biçaku
"Selam alekum, jemi Skuadrat e Kuqe, në aeroportin e Rinasit kemi vendosur një bombë që do të shpërthejë". Kjo telefonatë është kryer pranë një prej zyrave të sigurisë në aeroportin "Nënë Tereza" të Rinasit, në një televizion privat në Tiranë, si dhe në sallën operative të policisë së Tiranës. Besohet se ka qenë zëri i një burri të moshës 30-35 vjeç, që fliste një gjuhë letrare, ai që ka telefonuar për alarmin, sipas burimeve të policisë. Kjo ka vënë në gjendje alarmi policinë, si dhe aeroportin e Rinasit, duke bërë që fluturimet në mënyrë të përkohshme të pezullohen, pas dhënies së alarmit nga shërbimi i sigurisë për vënie bombe. Një telefonatë e ardhur nga një kabinë telefonike pranë Liceut Artistik ka njoftuar se, në aeroportin e Rinasit ishte vendosur një bombë që pritej të shpërthente për pak minuta. Nuk ka vonuar shumë dhe aeroporti i Rinasit në të gjithë territorin e tij është blinduar nga efektivë të Policisë Kufitare të komisariatit të Rinasit dhe Drejtorisë së Kufirit, si dhe të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në pak minuta punonjësit e sigurisë së aeroportit të Rinasit kanë pastruar parkingun e terminalit të aeroportit nga mjetet, që ndodheshin të parkuara aty. Po kështu njerëzit janë drejtuar që të largohen nga terminali dhe po kështu është vepruar edhe me punonjësit civilë. Një pjesë e avionëve janë larguar, duke mos u mbajtur afër terminalit dhe janë marrë në vëzhgim nga forcat përkatëse të sigurisë në aeroport. Mbërritja e krerëve të policisë së Tiranës, Sajmir Boshnjaku dhe kreut, Muhamet Rrumbullaku, ka bërë që ata vetë të shpallin aeroportin e Rinasit zonë të sigurisë së lartë.
Kërkimi
Kur policia e komisariatit të Rinasit dhe ajo e kryeqytetit nisën të kryejnë kontrollet në të gjithë zonën e aeroportit, njerëzit ende dilnin nga terminali. Asnjë prej tyre nuk po arrinte të kuptonte se çfarë kishte ndodhur, ndërsa policia iu kërkonte të dilnin nga aeroporti. "Na thanë që duhet të dalim nga terminali dhe të largohemi jashtë zonës së aeroportit", tregon një burrë rreth 45 vjeç i kollarisur, që tërheq një çantë nga pas. Ai tregon se, nuk kishte mundur të merrte vesh ç'kishte ngjarë. "Pashë shumë policë në terminal dhe në hyrje të aeroportit", shprehet një vajzë, e cila bashkë me çantën në duar kërkonte një të afërm pranë bustit të "Nënë Terezës" që lutet për paqe. Aty dy motorë të Policisë Rrugore kishin bllokuar drejtimin hyrës të aeroportit, ndërsa e lirë ishte vetëm dalja e tij. Gjatë kësaj kohe grupe të ndryshme të Policisë Kufitare të njësisë operacionale, antiterror, xhenierët, si dhe antieksplozivë të shoqëruar me qen të specializuar kanë kryer kontrolle të hollësishme në të gjithë territorin e aeroportit përqark pistës, në zyra në terminal dhe në objekte të ndryshme pranë tij. Rreth orës 13:45 minuta, kreu i policisë së Tiranës, Rrumbullaku dhe ai i Policisë Kufitare Boshnjaku shpallën aeroportin zonë sigurie. Për më tepër se gjysmë ore, që prej orës 14:00 kanë kërkuar të gjejnë një mjet të mundshëm shpërthyes. Fundi i kërkimit të policisë ka rezultuar negativ, për ekspertët xhenierë dhe krerët e policisë së Tiranës.
Hetimi
Paralelisht me kërkimet e skutave të aeroportit të Rinasit, oficerët e antiterrorit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, kanë nisur kërkimet për të zbuluar se cili ishte telefonuesi i alarmit fals. Nga veprimet e para, policia dyshon se alarmi për bombë nuk ka pasur prapavijë fetare, pavarësisht prezantimit të telefonuesit. Nga këqyrja e kryer e telefonit ku ka mbërritur thirrja, është zbuluar se telefonata është kryer nga një kabinë telefonike pranë liceut artistik "Jordan Misja". Sipas policisë, kabina ndodhet në rrugën "Ismail Qemali", në një zonë me lëvizje të konsiderueshme njerëzish. Pak kohë pas alarmit, policia ka mbërritur në këtë zonë dhe ka shoqëruar disa persona në cilësinë e të dyshuarve dhe dëshmitarëve, të cilët janë pyetur prej saj. Paraprakisht dyshimet e policisë lidhen me largimin nga puna të ndonjë personi nga aeroporti i Rinasit, ose me ndonjë konflikt ende të pasqaruar. Shoqërimet e policisë kanë vijuar deri vonë, ndërsa tha se, kishte ngushtuar rrethin e të dyshuarve. Zyra e shtypit e aeroportit të Rinasit pohoi dje në një deklaratë shtypi se, fluturimet janë shtyrë për gati 20 minuta për shkak të alarmit. Pas mbylljes së veprimeve të policisë sipas saj, veprimtaria ka vijuar normalisht.