E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seleksionimet Lista e Anglisë, shtypi britanik kritikon Kapelon

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër - Shtypi britanik, që deri tani ka mbështetur italianin në zgjedhjet e tij, ka reaguar negativisht ndaj listës paraprake prej 30 lojtarësh (që në fund do të shpallet me 23 futbollistë). Lista e dërguar dje në FIFA në fakt është kushtëzuar edhe nga refuzime (rasti i Pol Skols) dhe dëmtime të papritura (Bobi Zamora dhe Fil Nevil). Surpriza ka pasur edhe për të grumbulluarit (Gerat Berri, për të cilin duhej pritur deri më 24 maj, pas kontrollit në kavilje), Xho Kol (që ka pasur një sezon me ulje-ngritje me Çelsin) dhe Skot Parker (që nuk ka luajtur asnjëherë me Kapelon). Përveç tyre, janë edhe Xhemi Karrager, Majkëll Dauson, Ledli King dhe Adam Xhonson, që sidoqoftë, mund të eliminohen deri më 1 qershor. Sipas tabloidit “Mirror Sport”, Kapelo ka thirrur lojtarë të dobët, kurse “Daily Mail” shkruan se “pas dy vitesh e gjysmë punë të mirë, tashmë trajneri ka ngatërruar gjithçka”. Vetë tekniku italian është justifikuar, duke sqaruar se “kam pak paqartësi për disa emra, por do të vendos në fund. Di që ka shumë të dëmtuar dhe në këtë fazë ende nuk e di cilët do të jenë 23 emrat përfundimtarë. Çdo gjë do të vendoset më 1 qershor, dy ditë pas miqësores së fundit me Japoninë”. Ndërkaq, Xhon Terri ka pësuar një dëmtim në këmbën e djathtë gjatë stërvitjes së paradites dhe është dërguar në spital për tiu nënshtruar kontrolleve të hollësishme. Rezultatet pritet të dalin nesër. Të shtunën Çelsi, e saposhpallur kampione e Premier Ligës, do të diskutojë me Portsmuthin finalen e FA Cup në “Uembli”. “Për në kampin stërvitor, lista edhe e përbërë nga 30 futbollistë, pas saj do të zbresë në 23”, ka deklaruar Capello.
“Kemi disa dëmtime të cilat ende nuk i dimë sesa do të zgjasin. Gjithsesi disa lojtarë janë shumë të rëndësishëm pasi dinë stilin e lojës që dua unë. Kjo është zgjedhja ime edhe pse shumë kujt mund të mos i pëlqejë”, - ka deklaruar trajneri italian.

Dunga mbron zgjedhjet

Trajneri i Brazilit Karlos Dunga është gjendur në mes të kritikave të mëdha pas publikimit të listës me 23 futbollistë që do të grumbullojë për Botërorin e Afrikës së Jugut. Tekniku brazilian ka lënë jashtë lojtarë si Ronaldinjo, Pato, Diego, Adriano apo dy talentet e Santosit Neimar dhe Paulo Henrike. Por, nga gjithë këta futbollistë, Dunga ka deklaruar se keqardhjen më të madhe e ka pasur për sulmuesin e Flamengos Adriano, për të cilin duket se kanë vendosur problemet me jetën private dhe mungesat e vazhdueshme në seancat stërvitore. “I kam dhënë disa shanse Adrianos që të rikthehet të jetë ai i dikurshmi, - deklaroi Karlos Dunga. – Ndoshta askush nuk ka dëshirë ta dëgjojë këtë, por shpesh duhet të marrësh një vendim për të mirën e ekipit, për atë çfarë është më e rëndësishme për kombëtaren braziliane. Adriano ka qenë gjithnjë i mirëpritur këtu, por kishte ardhur koha për një vendim. Zemra më thotë që duhet ta merrja, por arsyeja që përfaqësoj vendin tim, më thotë diçka tjetër”, - sqaroi trajneri i Brazilit. Skuadra braziliane duket shumë e varur nga Kaka në mesfushë, ndërkohë që në sulm përveç Luis Fabianos e Robinjos, janë thirrur edhe Grafite e Nilmar. Por, kritika të forta Dunga ka marrë edhe për mosthirrjen e talenteve të Santosit Neimar dhe Paulo Henrike. “Ata e meritojnë vendin në kombëtare, - u shpreh Dunga, - por mos harroni se këto talente shpërthyen vetëm në shkurt e në mars. Nëse ju kujtohet, më 15 dhjetor kur mbaroi kampionati brazilian, ata ishin në stol”. Nga 23 futbollistët e thirrur, Dunga u ka besuar shumë atyre që luajtën në fazën eliminatore, duke mos bërë ndryshime të mëdha. Brazili konsiderohet edhe këtë vit si skuadra favorite për fitimin e Botërorit, bashkë me Spanjën, Argjentinën, Anglinë dhe Gjermaninë. Skuadra braziliane ndodhet në grup me Portugalinë, Bregun e Fildishtë dhe Korenë e Veriut.

Domenek i habit të gjithë, Benzema e Vieira jashtë

PARIS - Trajneri i Francës Rajmond Domenek i ka habitur të gjithë me skuadrën që do të thërrasë në Botëror, duke lënë jashtë futbollistë si Patrik Vieira apo Karim Benzema. Zbulimi i 30 emrave të parë që do të thirren në Kupën e Botës dhe nga të cilët do të përzgjidhen 23, është bërë live në televizion nga tekniku i Gjelave. Një tjetër emër që mungon në këtë listë është ajo e mesfushorit të Arsenalit Samir Nasri, që ka bërë një sezon të mirë në Londër. “Me futbollistët e rinj është gjithnjë e komplikuar, - deklaroi Domenek. – Ata do të kenë shanse të tjera. Benzema ka shumë talent dhe herët a vonë do të rikthehet, por ai ka pasur një sezon të vështirë me Realin”, shtoi trajneri i Francës. Surpriza më e madhe e Domenek është thirrja e sulmuesit të ri të Rënesit, Jan Mvila, por edhe e 5 lojtarëve që nuk kanë qenë ndonjëherë në ekipin kombëtar. Rajmond Domenek u shpreh gjithashtu se skandali seksual ku është përfshirë Frenk Riberi, i akuzuar për raporte me një prostitutë minorene, nuk ka ndikuar në zgjedhjet e tij. Trajneri i Francës premtoi se në Kupën e Botës do të ketë shumë lojtarë të rinj, duke sjellë më shumë freski në përfaqësuesen e Gjelave.

Maradona: Jemi më të fortë se në 86-ën

Sipas trajnerit të Argjentinës, kombëtarja që ai drejton ka më tepër mundësi të fitojë Kupën e Botës, krahasuar me skuadrën që triumfoi në vitin 1986. “Futbollistët që do të shkojnë në Afrikën e Jugut janë të gjithë të afirmuar, kurse në 86-ën askush nuk e dinte kush është Burruçaga, Ruxheri apo Braun”, - pohoi ish-“Djaloshi i Artë” pas shpalljes së listës paraprake, duke zbuluar edhe një tjetër detaj: “Mesi do të luajë jashtë çdo lloj skeme”.
Më pas Maradona shtoi: “Unë dua të fitoj dhe të njëjtën gjë duan edhe tifozët e argjentinës”. Për ta bërë këtë, duhet një Maradonë në fushë, ashtu si në 1986-ën. Trajneri e ka gati “xholin”: Leo Mesi. “Leo do të lëvizë në gjithë pjesën e sulmit, pa e kufizuar në një zonë të caktuar. Nuk dua ta ndaloj, por ta liroj nga çdo lloj skeme”, nënvizoi ai. Gjithashtu, do tu jepet përgjegjësi edhe Havier Maskeranos dhe Huan Sebastian Veronit: “Maskerano ka përvojë të madhe, ai mbyll të gjitha hapësirat në mesfushë. Do të bashkëpunojë me Veronin, që është Ksavi ynë. Detyra e Huanit është të udhëzojë lojtarët në fushë dhe të kontrollojë ritmin e lojës sonë”.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›