E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedi, sulmohet gjatë leksionit karikaturisti i profetit Muhamed

Autori i Lajmit: Redaksia

Stokholm – Një artist suedez, i cili ngjalli edhe një herë tjetër debatin e karikaturave të profetit Muhamed, pasi e vizatoi atë në formën e një qeni, është sulmuar ndërsa mbante një leksion në universitet. Lars Vilks thotë se ai është goditur në kokë nga një person i audiencës, ndërsa ai fliste për kufijtë e lirisë artistike. Si pasojë e goditjes, syzet e karikaturistit u thyen, por ai nuk pësoi asnjë dëmtim. Vilks është kërcënuar disa herë, por sulmi në universitetin Uppsala ishte i pari që kishte pasur konfrontim fizik. Artisti tha se një grup prej 15 personash, duke thirrur dhe përpjekur që të prishnin leksionin që ndiqej nga një auditor me 250 studentë, e kishte goditur në kokë. “Një burrë u hodh sipër meje dhe më goditi në kokë duke më thyer syzet”, - tha menjëherë pas ngjarjes së shëmtuar Vilks për agjencinë e lajmeve “Associated Press”. Kjo skenë është xhiruar dhe postuar në njërën prej faqeve të internetit të një gazete suedeze. Në video shfaqet policia që përpiqet të shpërndante turmën e njerëzve të irrituar teksa thërrisnin: “Zoti është i madh” në arabisht. Autoritetet thanë se dy persona ishin ndaluar. Më herët gjatë këtij viti, zoti Vilks ishte shënjestra e një tentative vrasjeje ku e përfshirë ishte Colleen LaRose, qytetarja amerikane e njohur si "Jihad Jane". Ajo nuk i ka pranuar akuzat e vrasjes, por, nëse dënohet, mund të rrezikojë dhe burgimin e përjetshëm. Në vitin 2007, një grup terrorist i lidhur me Al-Kaedën në Irak ofroi 100 mijë dollarë për vrasësin e Vilks. Ata ofronin dhe 50 për qind bonos, nëse vdekja e tij do të ishte torturuese (ti prisnin fytin si një qengji). Karikatura e profetit Muhamed u botua rreth një vit e gjysmë më parë pas situatës së tensionuar në Danimarkë, ku një gazetë botoi karikaturat “fyese” ndaj botës myslimane.

Ky lajm është publikuar: 13/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›