Selia e re e PD, reagon deputeti demokrat: Rama s’do bëjë gafë ta anulojë

Paloka: Basha ka sjellë entuziazëm dhe optimizëm në radhët e demokratëve
Edhe pse nuk i heq asnjë presje faktit që zgjedhjet e 23 qershorit kanë brenda edhe manipulimin, deputeti i PD, Edi Paloka deklaron ndërkohë se, Lulzim Basha ka sjellë entuziazëm dhe optimizëm në radhët e demokratëve. Deputeti demokrat veçon se në qeverinë e 8 viteve duhet të kishte më shumë dinamikë dhe ndryshim figurash në përbërje të qeverisë. Ndërkaq, ai nuk e sheh si problem debatin e fundit që ka lindur për zhvendosjen e SHQUP-it në një seli të PD-së, ndërsa thotë se Edi Rama s’do bëjë gafë ta anulojë vendimin e qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka shprehet se pas humbjes jo të pritshme të kësaj force, me zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë ai sheh sërish entuziazëm dhe optimizëm në radhët e demokratëve. Megjithatë, Paloka thekson se në PD do të ketë analizë për arsyet e humbjes, që sipas tij janë të shumta. “Pavarësisht arsyeve që çuan në këtë humbje, që janë të shumta dhe që do të analizohen shumë shpejt në PD, arsye që lidhen me PD-në, arsye që lidhen me qeverinë, por edhe arsye me mënyrën se si ajo që ishte opozitë veproi gjatë fushatës dhe zgjedhjeve. Disa fakte dihen, kanë dalë dhe janë bërë publike, ato të manipulimeve të hapura në Lezhë, përdorimit të miliona eurove në fushatë për të blerë vota, përdorimit të bandave kriminale. Megjithatë unë besoj se në analizën tonë ne do të përqendrohemi tek problemet që PD-ja dhe qeverisja e saj ka pasur”, – tha dje Paloka për “ABC Neës”. Deputeti demokrat veçon se në qeverinë e 8 viteve duhet të kishte më shumë dinamikë dhe ndryshim figurash në përbërje të qeverisë. “Sipas opinionit tim, duhej që të kishte me dinamikë në qeveri, duhet të kishte më tepër ndryshime, lëvizje figurash pavarësisht se le të themi mënyra se si qeverisej ishte e drejtë perceptimi që njerëzit kishin ndaj disa figurave që qëndruan për 8 vjet ministra dhe jo për faj të tyre, përgjegjësia në këtë rast mund të themi që është e z. Berisha, pasi nuk besoj se ata kanë qëndruar ministra me zor. Megjithatë këta ministra nuk reaguan siç duhet ndaj këtij vlerësimi”, – tha ai. Paloka shtoi se disa prej ministrave e humbën lidhjen me bazën demokrate dhe jo vetëm. “Këta ministra krijuan një lloj distancimi nga pjesa tjetër e PD-së jo vetëm nga baza dhe nga militantët, por filluan distancimin edhe nga deputetët, filluan të bëhen arrogantë edhe me deputetët, këta ministra krijuan më pas një kastë drejtorësh po kaq të palëvizshëm po kaq të paprekshëm”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti demokrat nuk e sheh si problem debatin e fundit që ka lindur për zhvendosjen e SHQUP-it në një seli të PD-së. “Në fakt selia ku ne jemi është pronë private dhe përderisa ne jemi në pronë private nuk mund t’i mohojmë të drejtën zotit të pronës që të shfrytëzojë pronën e tij. Për këtë arsye është menduar kalimi në një pronë shtetërore, nëse mund ta quajmë, jo pronë të atyre zotërinjve ose shokëve që ishin aty (ish-ushtarakët) por është një pronë që i takon ministrisë së Mbrojtjes dhe si shumë të tjera, ne e dimë që është një mbetje e regjimit edhe kjo shtëpia e ushtrisë se atëherë e kanë pasur të gjithë qytetet e Shqipërisë. Të gjitha kanë kaluar ose tek ish-pronarët ose në objekte të tjera, nuk mund të vlenin për funksionin që kishte ngritur shoku Enver dhe sigurisht që edhe kjo do të jetë më e vlefshme si seli e PD-së”, tha ai. Paloka shkon më tej në komentin e tij, duke theksuar se Rama do të bënte gafë nëse do ta kundërshtonte një vendim të tillë. “Nuk besoj që edhe Rama ta bëjë një gafë të tillë. Unë e pashë që doli znj. Kodheli por uroj që të ketë dalë kështu gabimisht, rastësisht, duke pasur edhe qejfin e ministres së re. Ramën nuk e kam parë të reagojë dhe uroj që të mos ta fillojë qeverinë e re me këto forma”, tha ai.