Selita e vogël qelbet nga plehrat, banorët i bejne thirrje bashkisë
>Sasia e madhe e plehrave të hedhura në Selitën e Vogël në Tiranë, po e kufizojnë çdo ditë e më tepër hapësirën e gjelbër në këtë zonë, duke krijuar gjithnjë e më tepër një impakt mbytës për banorët e saj. Kjo është e vërteta e hidhur e një lagjeje në metropolin shqiptar, një vend që fare mirë çdokush ndoshta do të mund ta krahasonte me vendet e harruara. Por njëkohësisht, ky është realiteti që banorët e kësaj zone hasin çdo ditë e më shumë, pa u bërë ende i mundur ndonjë përmirësim sado i vogël i situatës së plehrave.
Edhe pse temperaturat në këto ditë të ftohta dimri janë te ulëta, era e keqe e plehrave ndihet çdo herë e më shumë. Në këtë vend është e pamundur të kalosh pranë këtyre mbetjeve të hedhura nga vetë banorët, pasi duhet të mbyllësh hundët nga kundërmimi i padurueshëm. Kështu, banorëve të kësaj lagjeje, përveç rrugëve të parregulluara e me gropa, dhe dendësisë së pluhurit që përditë e më shumë rëndon mushkëritë e tyre, u shtohet dhe problemi tjetër që është ai i mbetjeve të konsumit të përditshëm. Bashkia që është organi i vetëm kompetent për zgjidhjen apo trajtimin e këtij problemi, që është mjaft shqetësues për këta qytetare, mesa duket nuk ka marrë asnjë masë për këtë rast. Kjo është një ndër lagjet më problematike të kryeqytetit për këtë problem. Duke marrë shkas edhe nga shqetësimet e banorëve, mësohet se qytetarëve u duhet të durojnë për kush e di sa kohë, erën kundërmuese që vjen si pasojë e plehrave të hedhura vend e pa vend e që sipas ekspertëve mund të krijojnë shumë lehtë edhe përhapjen e ndonjë epidemie. Por ajo se çfarë është më e çuditshme në këtë zonë, është fakti se kazanët e plehrave janë bosh dhe përbri tyre gjenden pirgje plehrash. Qytetarët thonë se plehrat janë hedhur përdhe për shkak se nuk kanë pasur vend ku t'i hedhin në kontenier në kohën kur ato kanë qenë të mbushur me plehra. Këta banorë shprehen se një pastrim më i shpeshtë i rrugëve dhe kazanëve të plehrave të mbushur, do të ishte zgjidhja më e efektshme që të gjithë njerëzit kërkojnë nga Bashkia e Tiranës.