E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Arsimit urdhëroi rektorin Kule për hartimin e diplomave pa titull

>Zv/ministrja Gjonaj u propozon studentëve diplomë me kapakë. Studentët e refuzojnë pa titullin përkatës  
Studentët e Gazetarisë zbulojnë dhe publikojnë një tjetër shkelje të bërë nga Ministria e Arsimit, në dëm të diplomave dhe rrjedhimisht edhe ndaj të ardhmes së tyre. Në vijim të protestave të tyre pranë dyerve të dikasterit më të lartë të arsimit, studentët kanë bërë të ditur për mediat, se Senati i Universitetit të Tiranës i ka kërkuar dy herë MASH-it miratimin e diplomës së propozuar, por kjo kërkesë është pasuar me një udhëzim të prerë më datë 14.07.08 nga ana e MASH-it, i cili ka detyruar senatin të përpilojë modelin e diplomës sipas kërkesave të urdhëruara. Sipas studentëve të gazetarisë, të cilët nuk pranojnë kurrsesi të tërheqin diplomat me formatin dhe përmbajtjen aktuale, Senati i Universitetit të Tiranës i ka dërguar MASH-it   më datë 04.07.08 me numër protokolli, 1370 propozimin për formatin e diplomës. Duke hasur në një indiferencë nga ana e ministrisë, Rektori i UT-së, Dhori Kule i ka bërë MASH-it një kërkesë urgjente më datë  09.07.2008, me numër protokolli 1370, me anë të të cilës është kërkuar miratimi në një kohë sa më të shpejtë i propozimit të senatit të UT-së, për arsye se nuk mjaftonte koha për prodhimin e diplomave. Studentët pohojnë se zhvillimet e tanishme vërtetojnë se edhe kjo kërkesë drejtuar MASH-it, e dyta nga ana e rektoratit dhe senatit të UT-së, jo vetëm që nuk është marrë parasysh, por madje me anë të një udhëzimi të datës 14.07.2008 është urdhëruar hartimi i diplomës sipas kërkesave të ministrisë. Kjo ka sjellë dhe diplomën që u ofrohet aktualisht këtyre studentëve, një diplomë që më shumë se aq ngjan me një lajmërim varrimi. Ndërkaq, studentët kanë pohuar se pas protestave të tyre, zv/ministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj u ka propozuar formatin e diplomës së vjetër (me dy kapakë), por duke këmbëngulur në të sajën për të mos u dhënë titullin, a thua se thelbi kërkesës së tyre ishin kapakët e diplomës. Studentët kanë siguruar se do të vazhdojnë protestat deri sa MASH-i të miratojë pa asnjë ndryshim propozimin e senatit të UT-së, i dërguar më datë 04.07.08 me numër protokolli, 1370.
Diplomat
Studentët e Gazetarisë janë në dijeni tashmë për përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit, e cila ka vendosur tu japë diploma, që siç i quajnë ata, të pavlefshme, madje në atë gradë saqë mund ta krahasojnë vetëm me një njoftim varrimi. Sipas studentëve, hartimi i diplomave të tyre me një sërë probleme në to dhe aspak korrekte për një të arsimuar në universitet, është urdhëruar nga Ministria e Arsimit, e cila nuk ka respektuar formatin e propozuar nga Senati i Universitetit të Tiranës. Diplomat Studentët e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë janë të indinjuar në lidhje me përmbajtjen dhe formën diplomës që është vendosur nga Ministria e Arsimit në përfundimin e ciklit të parë të Kartës së Bolonjës. Kjo është arsyeja për të cilën ata kanë refuzuar tërheqjen e tyre pranë Fakultetit të Histori- Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Studentët që kanë mbaruar ciklin 3 vjeçar të Bolonjës, kanë bërë të ditur vërejtjet e konstatuara në diplomat e përgatitura për ta, të cilat për hir të së vërtetës ata nuk dëshirojnë ta quajnë të tillë. Diploma jonë i ngjan më shumë një njoftim varrimi, sesa një diplome të mirëfilltë, në të cilën nuk tregohet vendi dhe titulli për të cilin një i ri ka studiuar për 3 vite, shprehen studentët, të cilët kanë paraqitur një sërë vërejtjesh përsa i përket diplomës-certifikatë, në të cilën spikat mungesa e titullit dhe emri i fakultetit ku janë kryer studimet. Sipas tyre, diploma nuk do të tërhiqet derisa ajo të jetë e denjë dhe në përmbajtje të saj të përfshihen edhe kërkesat më minimale të një studenti, i cili ka studiuar për tre vite rresht pranë fakultetit të mësipërm. Nisur nga këto arsye, studentët kanë kërkuar të pajisen me diplomë të rregullt, e cila të përmbajë të gjithë elementët e një diplome të mirëfilltë universitare si titullin, në rastin konkret "Gazetar apo specialist i medias", emrin e fakultetit, si dhe të jetë në formë kartoni si diplomat e brezit të parë të Bolonjës në Gazetari.

*********************************
Arsyet e refuzimit të diplomës
1-Diploma e Nivelit të Parë nuk përmban titullin e studimit
2-Nuk përmban emrin e fakultetit ku është studiuar
3-Ka gabime ortografike
4-Nuk ka një formë të besueshme për tregun e punës
5- Është përdorur një standard i dyfishtë për Kartën e Bolonjës. (Brezi i studentëve që kanë studiuar në vitet 2004- 2007 është pajisur me diplomë të rregullt ku jepet dhe titulli i specialitetit)
**********************************************************
Rektori Kule: Diplomat, një handikap i korrigjueshëm   
Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Dhori Kule i ka cilësuar "një handikap i korrigjueshëm", pakënaqësitë e shfaqura nga studentë të gazetarisë për diplomat e ciklit të parë të Kartës së Bolonjës, të vendosura nga Ministria e Arsimit. Duke theksuar se problemi i formës dhe përmbajtjes së diplomave nuk ka lidhje me UT-në dhe strukturat e tij, Kule tha se, "kjo çështje është thjeshtë e një karakteri të sistemit të kompetencave, që ligji i Arsimit të Lartë u jep organeve përkatëse për të marrë vendimet përkatëse. Ligji sqaron në nenin 31 të tij se forma dhe përmbajtja e diplomës dhe suplementi i saj, përcaktohen nga senatet akademike në bazë të udhëzimeve të MASH. Sipas rektorit Kule, MASH ka kompetencë që vetëm të regjistrojë diplomat në regjistrin kombëtar. Si rrjedhojë, Kule kërkoi, se është e nevojshme heqja e pikës 6 të udhëzimit, sepse është e paligjshme, pasi ligji nuk i jep të drejtë MASH-it të miratojë tipet e diplomave, por vetëm ti regjistrojë ato.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›