Sepang, Veber pole në përmbytje
Ferrari dhe MekLaren kanë zhgënjyer në provat zyrtare të Sepangut. Makinat “kokëkuqe” do ta nisin çmimin e Madh të Malajzisë me Fernando Alonson në vendin e 19 dhe Felipe Masën i 21-i, ndërsa skuadra britanike niset nga pozicioni i 17 me Xhenson Baton dhe me Luis Hemilton të 20-tin. Arsyeja? Reshjet e shiut që kanë rënë me përpikëri vetëm pak minuta përpara fillimit të xhirove kualifikuese dhe fakti që dy skuadrat që synojnë të fitojnë titullin nuk arritën të shfrytëzonin momentin. Në provat që u ndikuan dukshëm nga moti i keq, koha më e mirë ishte ajo e vendosur nga Mark Veber, ndërsa pas australianit u klasifikuan Rosberg dhe Fetel. Mikael Shumaker do të niset i teti.
Paraqitja e dobët e Ferrarit dhe MekLarenit erdhi sepse ndërkohë që të gjithë pilotët dolën menjëherë në pistë, duke kërkuar të vendosnin kohë të shpejta, dy skuadrat kryesore në Formula 1 pritën më tepër nga sa duhej. Ato ndoshta janë gënjyer edhe nga parashikimi i motit, sipas të cilit reshjet do të vinin drejt “zbutjes”. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe kur Alonso e Masa, por edhe Hemilton e Baton dolën nga bokset, pista ishte praktikisht e përmbytur. Tentativat e dëshpëruara mund të përmblidhen në daljet e shpeshta nga pista të Alonsos, i cili ka kërkuar në të gjitha mënyrat një kohë të shpejtë. Të katërta makinat (dy Ferrari dhe dy MekLaren) u eliminuan që në seksionin e parë të provave dhe tashmë do të përballen me një garë të vështirë.
Dy pilotët e “kokëkuqes” nuk e fshehën zhgënjimin. “Duhet me patjetër t’i shmangim gabime të këtij lloji”, tha spanjolli, dy herë kampion bote. “Menduam se shiu po përfundonte, por u gabuam. Megjithatë, kemi përpara garën dhe ashtu si u konfirmua në Australi, mund të regjistrohen paraqitje të mira edhe duke u nisur nga vendet e fundit. Vazhdojmë të pretendojmë për një rezultat të kënaqshëm në Sepang”. Qëndrim të njëjtë kishte edhe Masa: “Të gjithë ne u gabuam në vlerësimet fillestare. Shiu nisi përpara xhirove kualifikuese, por më pas pushoi dhe menduam se ndoshta ishte më mirë që të prisnim. Në momentin kur dolëm, pista ishte shumë e lagësht. çfarë mund të them… Gara e nesërme (sotme) do të jetë interesante për tifozët, e shpresojmë që e tillë të jetë edhe për ne”. Më i qetë u shfaq Hemilton: “Mendoj se dolëm vonë në pistë, thuajse njësoj me skuadrat e tjera të mëdha. Ishim të pafat. Gjithsesi, këto janë gjëra që ndodhin. Ishte një ditë ters, por në garë do të jap maksimumin për të arritur një rezultat të mirë: do të jetë e vështirë, por do të bëj të pamundurën”.
Në këtë mënyrë, më i fituari ishte Veber, që do të niset nga “pole position”. Ndërkohë, vendi i tretë i Fetel, konfirmon se në provat zyrtare, Red Bull-i është makina që duhet mposhtur.
#