Serbët e Veriut nuk i pranojnë obstruksionet e Beogradit për zgjedhjet

I ashtuquajturi Këshilli Nacional Serb në veri të Kosovës, nuk do të pranojë asnjë tentim të obstruksioneve dhe qëllimet që zgjedhjet serbe të mos mbahen në Kosovë. Ky është qëndrimi i kryetarit të këtij Këshilli, Millan Ivanoviq, i cili të mërkurën para gazetarëve në veri të Mitrovicës ka theksuar se zgjedhjet serbe në Kosovë janë të domosdoshme, legale dhe në pajtueshmëri me rezolutën 1244, si dhe me kushtetutën e ligjet e Serbisë.
Sipas tij, vërehet qëllimi i disa zyrtarëve nga Beogradi, të cilët dëshirojnë të bëjnë obstruksione rreth mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Qëllimeve të tilla do t’u kundërvihemi me të gjitha mjetet legale, duke përfshirë këtu edhe protestat para Kuvendit të Serbisë dhe kryesisë së saj në Beograd”, ka thënë Ivanoviq.
Ai ka ftuar qytetarët në bashkim dhe unitet dhe ka apeluar tek ata që të mos shfrytëzojnë pikat kufitare zyrtare në Jarinjë dhe Bërnjak, sepse, siç ka thënë ai, në këtë mënyrë ata legalizojnë institucionet e Kosovës.