Serbët forcojnë barrikadat, VV paralajmëron për ndarje etnike
Ende pa vendim nga ndërkombëtarët për zgjedhjet serbe në Kosovë.
Banorët serbë në Veri të Kosovës kanë përforcuar barrikadat e tyre nëpër rrugët drejt doganave, duke shtuar numrin e rojave në to. Lëvizja Vetëvendosje është e para që po paralajmëron rrezikun e një ndarjeje të Kosovës në vija etnike. Sipas Vetëvendosjes, Ne nuk jemi për ndarje të tilla, ne jemi për një shtet funksional të Kosovës dhe, në qoftë se do të ketë integrim të minoriteteve, ai integrim të jetë shoqëror dhe nuk duhet të krijojmë enklava, ndarje kufijsh brenda vendit, pasi mund të çojnë drejt bosnjëzimit të Kosovës, tha nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti. Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se është kundër çdo lloj zgjedhjesh serbe në Kosovë. Barrikadat e serbëve janë vendosur që nga vera e kaluar, pasi autoritetet kosovare dërguan policë dhe doganierë kosovarë në pikat kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë. Sipas mediave lokale, përforcimi më i madh i barrikadave është parë në urën e Ibrit, por kujdestaria me roje nga popullsia civile është shtuar edhe në barrikadat e tjera. Serbët lokalë në veri kanë penguar disa herë dhe kanë bllokuar lëvizjen dhe kalimin e makinave të EULEX-it, të cilat kanë tentuar të shkojnë në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi. Serbët lokalë lejojnë kalimin e automjeteve të KFOR-it, ndërkaq, sipas një marrëveshjeje, që EULEX-i e demanton, ata lejojnë gjatë ditës të kalojnë vetëm tri makina të misionit europian. Raportet për përforcim të barrikadave vijnë në kohën kur po bëhen përgatitje për zgjedhjet lokale e parlamentare, që Serbia i ka shpallur të mbahen edhe në territorin e Kosovës. Por UNMIK pak ditë më parë refuzoi të organizojë zgjedhjet lokale serbe, ndërkohë që BE e ka lënë të hapur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare. Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, deri tani nuk ka ndonjë plan veprimi, pasi siç u shpreh ai, ende nuk dihet nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet serbe në Kosovë.
Jo zgjedhjeve serbe
Kryeministri Hashim Thaçi tha se institucionet e Kosovës me asnjë kusht nuk do të lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Thaçi tha për RTK-në se nuk do të ketë asnjëherë bisedime për ndonjë status të veçantë për Veriun. Kryeministri i Kosovës theksoi se pretendimet e Beogradit bien ndesh me ligjet e Kosovës, normat e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si dhe rezolutën 1244.Dialog
Shefi i delegacionit të BE-së në Beograd, Vensan Dezher, ka deklaruar se hapi i ardhshëm i Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga vijimi i dialogut me Kosovën. Dezher ka nënvizuar se përveç dialogut, qeveria serbe duhet të realizojë edhe reformat, në mënyrë që të marrë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit.