Serbia: Vizat, nuk kushtëzojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjelic, ka deklaruar se liberalizimi i vizave me Bashkimin Europian nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosova në mënyrë të tërthortë. Këto komente ai i ka bërë para mbërritjes në Beograd të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Javier Solana. Vizita e Solanës është e fundit në cilësinë e postit që mban aktualisht. Para vizitës Solana ka deklaruar se BE-ja ka nevojë për politikë të mirë në rajon. Ai ka pranuar se pas përfundimit të luftërave në Ballkan, BE-ja është ballafaquar me dilemën se si t'i qaset rajonit me procesin e zgjerimit apo me krijimin e një lloj protektorati. Përfaqësuesi i lartë për politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, qëndron sot në Beograd, më pas do të shkojë në Prishtinë, Shkup dhe Podgoricë. Në Beograd Havier Solana takohet dhe bisedon me presidentin serb Boris Tadiç dhe udhëheqës të tjerë. Para arritjes në Beograd, Solana u ka thënë agjencive serbe të lajmeve se "Serbia pakthyeshëm është duke shkuar drejt ardhmërisë që do ta ndajë me Bashkimin Europian". Ai ka shtuar se "Beogradi duhet të ruaj shkallën e lartë të bashkëpunimit me gjykatën e Hagës".