E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, në asnjë rast nuk mund të dalë fituese në Hagë

Serbia në asnjë rast nuk do të mund të dalë fituese në
procesin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së
Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në
Hagë, i deklaroi BBC-së profesori në Universitetin Kombëtar
për Mbrojtjen në Uashington, Stiven Majer. Sipas politologut
të njohur amerikan, në qoftë se Beogradi e humbet procesin
gjyqësor në Hagë, atëherë atij do t‘i duhet të njohë Kosovën
e pavarur, sepse si palë që ka nisur gjyqin, Serbia në asnjë
mënyrë nuk mund ta kundërshtojë dhe të mos e respektojë
vendimin e gjykatës.
Sidoqoftë, nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
shprehet në favor të kërkesës së Serbisë, atëherë shqiptarët
do ta injorojnë vendimin, për më tepër që Bashkimi Evropian
e ka bërë tashmë të ditur se do ta ketë të vështirë ta pranojë
një vendim në favor të Serbisë, thekson Majeri, që shton se, e
shumta që mund të presë Beogradi në situatën aktuale, do të
ishte një vendim gjyqësor, që statusin e Kosovës do ta quante
një "zgjidhje politike të komplikuar, të cilën, për këtë arsye, do
të mundë ta zgjidhin vetëm politikanët!"
Daniel Server i Institutit për Paqen në Uashington, nga
ana e tij, i tha këto ditë BBC-së se fillimi i procesit në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është një "zgjidhje
kundërproduktive" për Beogradin. "E vetmja gjë që mund të
presë Beogradi nga ky proces, është vetëm një ngadalësim i
procesit të njohjes ndërkombëtare
të shtetit të ri të Ballkanit, në të cilin,
në fakt, ka arritur diçka", tha analisti
i njohur amerikan Server, duke
theksuar se gjithçka tjetër do të jetë
kundër Serbisë, sepse "të gjithë e
dinë se, pa zgjidhjen e çështjes së
Kosovës, Serbia nuk do të mund të
bashkohet me BE-në". Këtë, sipas
Serverit, nuk po e thonë ende
hapur dhe direkt në Bruksel, pasi
të 27 vendet anëtare të BE-së akoma
nuk i kanë harmonizuar qëndrimet
e tyre, por kjo është kështu,
vuri në dukje ky njohës i mirë amerikan
i gjendjes në rajonin e Ballkanit. Serveri mendon se, duke
hapur procesin gjyqësor në fjalë, Beogradi vetë, me vullnetin
e tij politik, bllokoi arritjen e qëllimit politik më të rëndësishëm
që ka në planin e politikës së jashtme - integrimin evropian.
Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Jost Lagendajk,
vuri në dukje këto ditë, se ndarja e Kosovës do të çonte në
ndarjen e Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe të vetë Serbisë.
"Ndarja e Kosovës nuk ka aspak lidhje me realitetin,
sepse, në një rast të tillë, kjo do të shkaktonte një reaksion
zinxhir në rajon, konkretisht në Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë
(B-H) dhe Serbi", thekson eurodeputeti holandez, që
ishte edhe propozuesi i Rezolutës për Kosovën, në favor të së
cilës votoi të enjten e fundit në Strasburg Parlamenti Evropian.
Ai vuri në dukje se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës
kërkojnë një "zgjidhje diplomatike krijuese" dhe si shembull
solli zgjidhjet, te të cilat arritën në kohën e vet Gjermania
Perëndimore e ajo Lindore dhe Republika e Irlandës e Irlanda
e Veriut. "Ideja për arritjen e një zgjidhjeje, sipas shembullit
të të dy Gjermanive, të cilat, pavarësisht se nuk e njihnin
njëra-tjetrën, ishin angazhuar, pra kishin rënë dakord që të
mos e pengonin njëra-tjetrën në veprimtaritë ndërkombëtare,
mund të konsiderohet shembull bazë për arritjen e
një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës, të konfirmuar
edhe nga BE-ja", theksoi Lagendajk.
Kundër idesë së ndarjes së Kosovës u shpreh me forcë në
një konferencë ndërkombëtare që u zhvillua, kohët e fundit,
në Institutin amerikan për Paqen të Uashingtonit edhe
drejtori i Institutit për Zhvillimet dhe Studimet Politike të
Kosovës, Lulzim Peçi, që theksoi, midis të tjerash, se, në rast
të ndarjes së Kosovës, shumica e shqiptarëve do të synonte
të bashkohej me Shqipërinë, pasi pothuajse 100 për qind e
banorëve do të ishin shqiptarë. "Çfarë kulture politike do të
krijonim në këto kushte në Ballkan?" - shtroi pyetjen z. Peçi,
duke vlerësuar se çështja e Kosovës, gati një vit që nga shpallja
e pavarësisë, ende nuk është rrumbullakosur. "Pavarësinë
e Kosovës e kanë njohur 54 shtete; Serbia vazhdon ta
kundërshtojë atë, ndërkohë që veprimtaritë momentale të
bashkësisë ndërkombëtare pasqyrojnë ndasitë në Bashkimin
Evropian lidhur me pavarësinë e saj, duke ndikuar në
situatën e përgjithshme në Kosovë, sidomos në pjesën veriore
të saj", theksoi Peçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›