E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia nuk do të shuajë strukturat paralele në veri

Nga Express më 27 gusht 2011 në ora 16:25

Ministri për Religjion dhe Diasporë në Qeverinë e Serbisë, Srdjan Sreckovic ka shprehur edhe një herë qëndrimin e Beogradit zyrtar kundër shuarjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Ai ka thënë për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit se të gjithëve u është qartësuar se Serbia nuk mund dhe se nuk do të heqë strukturat paralele në Kosovë.

Sreckovic ka vlerësuar se Beogradi zyrtar nuk është kushtëzuar që të heqë dorë nga Kosova në shkëmbim të pranimit në BE dhe se pavarësisht thirrjeve të kancelares gjermane Angela Merkel për shuarjen e strukturave paralele, Serbia nuk rrezikon humbjen e kandidaturës për anëtarësim në BE.

Ai ka thënë se nëse Serbia përmbush teknikisht pjesën e punës që kërkohet prej saj, kandidatura për BE nuk vihet në pikëpyetje.

Kohë më parë presidenti i Serbisë Boris Tadic ka deklaruar se vendi i tij këtë vit mund që të mos e fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE dhe datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Pavarësisht kësaj, Tadic e ka quajtur të papranueshme kërkesën e kancelares Merkel për shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›