Seri vjedhjesh, pranga dy adoleshentëve
TIRANE - Dy adoleshentë janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për të paktën tre vjedhje me dhunë të kryera në kohë dhe vende të ndryshme në kryeqytet. Një njoftim për shtyp i policisë së kryeqytetit informon se janë vënë në pranga Shaban Miftari, 19 vjeç dhe Emiljano Gjonaj, 18 vjeç. Adoleshentët janë arrestuar nga efektivat e Komisariatit Nr.5, në Kamëz, ndërsa edhe një bashkëmoshatar i tyre është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për veprat penale të "vjedhjes me dhunë" dhe "vjedhjes" të kryera në bashkëpunim. Sipas policisë më datë 18 gusht të këtij viti tre adoleshentët, dyshohet se kanë vjedhur me dhunë një grua, në Paskuqan, duke i marrë shumën e parave prej 20 mijë lekë dhe një telefon celular. Vetëm pak minuta pas vjedhjes me dhunë në paskuqan, ata dyshohet se kanë vjedhur në rrugën "Selaudin Zorba", automjetin tip "Ford Fiesta", me targa TR 1197 N. Automjeti i vjedhur është gjetur në fshatin Shupenzë të Bulqizës. Policia gjithashtu, i akuzon të arrestuarit edhe për vjedhjen me thyerje të një banesë në Paskuqan 2, e ndodhur më 24 gusht të këtij viti, ku kanë mundur të marrin 500 mijë lekë dhe 2 celularë. Ndërsa një tjetër adoleshent është arrestuar për vjedhje të pasqyrave të automjeteve. Sipas policisë 18-vjeçari Gentian Hoxha, është arrestuar tek rruga e Kavajës, në momentin kur bashkë me 2 bashkëmoshatarë të tij, po tentonte t'i vidhte pasqyrat një makine tip "Benz" që ndodhej e parkuar. Ata akuzohen gjithashtu edhe për vjedhjen e pasqyrave të një tjetër makine te rruga e Dibrës.