E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre paditë e PS-së para zgjedhjeve,Prokuroria nis hetimin për kartat e identitetit

 

Prokuroria e Tiranës fillon hetimet mbi kallëzimin e Partisë Socialiste për kartat e identitetit. Hetues të Prokurorisë së kryeqytetit kanë mbërritur në zyrat e Ministrisë së Brendshme ku kanë sekuestruar regjistrin e personave të pajisur me karta identiteti deri më tani si dhe të dhënat për personat që nuk kanë marrë ende dokumentin. Burime zyrtare të organit të akuzës, thanë dje se "dosja e kartave të identitetit është regjistruar në hetim dhe procesi po ecën si me të gjitha dosjet tjera". Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar në rrugë zyrtare Ministrisë së Brendshme edhe shkresat që kjo e fundit i ka dërguar Partisë Socialiste në përgjigje të interesimit mbi ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve me karta para procesit zgjedhor të 28 qershorit. Një pjesë e provave të kërkuara nga Prokuroria, mësohet se janë vënë në dispozicion nga vetë Ministria e Brendshme, ndërkohë vetë hetuesit e Prokurorisë kanë marrë nga zyrat qendrore të gjendjes civile regjistrat e personave me dhe pa karta identiteti.   
Kallëzimet e PS-së për manipulime
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste Fatmir Xhafaj, depozitoi në Prokurorinë e Tiranës pas zgjedhjeve të qershorit, tri kallëzime penale që bënin fjalë për manipulime me kartat e identitetit. Episodi i parë i denoncuar nga PS, bënte fjalë për një shtetas që kishte manipuluar të dhënat e identitetit të tij gjatë aplikimit për kartë identiteti. PS paditi më pas edhe një drejtuar të pushtetit lokal të Partisë Demokratike, i cili siç u pretendua kishte shitur kuponë për pajisje me kartë në këmbim të votave të qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Padia e tretë e Partisë Socialiste akuzonte Ministrinë e Brendshme për falsifikim të së dhënave zyrtare lidhur me procesin e aplikimit të shtetasve për letërnjoftime elektronike. Pretendimet për manipulimin e të dhënave nga personi i denoncuar nga PS si dhe akuzat e ngritur ndaj një pushtetari lokal të PD-së, duket se janë verifikuar në vend nga Prokuroria. Kjo e fundit ka vendosur të verifikojë pretendimet e PS-së ndaj Ministrisë së Brendshme duke kryer verifikime në zyrat e kësaj të fundit.
Letërkëmbimi
Partia Socialiste dhe Ministria e Brendshme shkëmbyen mes tyre një letërkëmbim zyrtar para dhe gjatë fushatës elektorale me objekt procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. PD kërkoi disa herë me radhë informacionin periodik për ecurinë e procesit ndërsa Ministria e Brendshme dërgoi të dhënat e kërkuara në formë dokumentare dhe dizhitale nëpërmjet kompaktdisqeve (CD). Pikërisht të dhëna të tilla u vunë në pikëpyetje nga selia e PS-së ndërsa autori i tri padive penale Fatmir Xhafaj, deputet dhe Sekretar për Çështjet Ligjore në PS, tha se informacioni i dërguar nga Ministria e Brendshme ishte i manipuluar. Ndërkohë Ministria e Brendshme e konsideroi transparent procesin dhe akuzat e PS-së i quajti politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›