E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për parakalimin, pesë plumba shoferit

 

TIRANE - Një sherr i momentit për parakalimin me makinë, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një të riu nga Fushë-Preza e Tiranës. Lorenc Kajo ka qëlluar 5 herë me pistoletë në drejtim të makinës me të cilën lëvizte Besnik Mani, duke tentuar ta vrasë, por fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk e ka prekur. Sipas policisë së kryeqytetit Kajo ka dashur të hakmerret ndaj Manit, i cili një javë më parë kishte pasur një konflikt me të vëllain për parakalimin e makinës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në kryqëzimin Vorë-Fushë Krujë, kur Besnik Mani ka qenë duke kaluar me makinën e tij tip "Benz C-Clas", me targë TR 4457 N, në drejtim të Vorës. Në këtë moment 22-vjeçari Lorenc Kajo, nuk ka ngurruar që të nxjerrë pistoletën dhe të qëllojë 5 herë në drejtim të makinës, ku fatmirësisht i janë dëmtuar vetëm xhamat. Lorenc Kajo është arrestuar, me akuzën e "vrasjes me dashje të mbetur në tentative" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Një javë më parë në qendër të Vorës së Tiranës, Besnik Mani ka pasur një debat me vëllain e Lorenc Kajos, debat që kishte degraduar nga sharjet në kërcënime e grushte. Sherri mes tyre ka nisur sepse Mani ka parakaluar me makinë, duke mos i liruar rrugën vëllait të Kajos. Por edhe pse kishin kaluar 7 ditë nga ngjarja vëllezërit Kajo nuk e kishin harruar ngjarjen, madje vëllai më i madh Lorenci, vendosi të hakmerrej. Besnik Mani, duke qenë se banonte në Fushë-Prezë, i duhej medoemos që të kalonte me makinë në Vorë, ku u sulmua me pesë të shtëna arme zjarri.                                    e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›