E Diel, 1 Nëntor 2026

Seria A italiane fillon sot javen e 24-et me ndeshjet Inter-Bolonja dhe Fiorentina-Napoli

Në Milano dhe Firence nis java e 24-ët e Serisë A italiane dhe njëra prej skuadrave e ka fitoren një imperativ. Bëhet fjalë për Interin, ndërsa skuadra zikaltër pret sonte Bolonjën në “San Siro” me synimin për të rinisur sulmin drejt zonës “Champions”. Trajneri Klaudio Ranieri ka një shans të dytë në shtëpi pas disfatës po në Milano ndaj Novarës, por mungesat janë të rëndësishme. Shënuesi më i mirë, Diego Milito, mungon për shkak dëmtimi, po ashtu si Alvarez, Samuel dhe Stankoviç. Por, me dyshen sulmuese Pacini-Forlan dhe Uesli Snajderin pas tyre, Interi e ka fuqinë e duhur të zjarrit për të fituar. Edhe Bolonja është keq, pranë zonës së rënies për në B, ndaj pikët janë të domosdoshme. Një ndeshje e bukur në “Franki”, ku Fiorentina pret Napolin. Skuadra e Delio Rosit ndodhet diku në mes të tabelës, veçse nuk mund të vetëkënaqet, ndërsa Napoli është në prag të ndeshjes së Champions-it ndaj Çelsit. Trajneri Macarri do të luajë me formacionin më të mirë të mundshëm. Të shtunën, Juventus pret Katanian, një ndeshje që normalisht duhet ta fitojë, ndonëse siçilianët janë në një formë shumë të mirë. Ndeshjet e tjera të javës së 24-të luhen të dielën, me nisje në 12:30 kur Leçe ndeshet me Sienën. Në orën 15:00, Milani kampion dhe kryesues fillon sfidën në Çezenë, ndërsa Roma luan në “Olimpiko” ndaj Parmës. Skuadra tjetër kryeqytetase, Lacio, do të luajë në fushën e Palermos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›