E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seria A therret Armando Sadikun

Pavarësisht se mungojnë edhe disa muaj përpara hapjes së merkatos, Armando Sadiku vazhdon të jetë në vëmendjen e klubeve nga ligat e rëndësishme europiane. Sipas lajmeve më të fundit nga Italia, për sulmuesin 20-vjeçar të Kombëtares shqiptare interesohen tre skuadra të Serisë A.
Bëhet fjalë për Katanian, Kievon dhe Sienan, të cilat po ndjekin me vëmendjen paraqitjet e lojtarit me Lokarnon, në Ligën e Dytë zvicerane. Në këtë sezon, sulmuesi I talentuar ka realizuar 12 gola për skuadrën e tij në 19 ndeshje të luajtura, me një mesatare prej më tepër se 0,6 golash në ndeshje.
Interesi është i madh, pasi përveç kualitetit, Sadiku garanton edhe vazhdimësinë në realizimin e golave. Në fakt, ai u konfirmua si një prej sulmuesve më të mirë përpara portës në Challenge League, pasi një sezon më parë, në harkun e pak muajve lojtari arriti të shënonte 9 gola me Lokarnon.
Përveç tre klubeve italiane, Sadiku kërkohet edhe nga Hamburgu në Gjermani dhe nga Grasshopersi në Zvicër. Ndërkohë, në janar, lojtari kishte tërhequr vëmendjen edhe të tre klubeve të tjera, Xhenoa në Serinë A italiane, Borusia Mynshengladbah në Bundesligën gjermane dhe Zyrih në Superligën zvicerane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›