E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish dhunë në kryeqytetin grek

Një ditë para përvjetorit të parë të vrasjes së nxënësit 16-vjeçar Aleksis Grigoropullos, Athina dhe disa qytete në shtetin fqinj kanë kaluar një tjetër natë të dhunshme. Në qytetin e Korinthos, qindra të rinj, shumica e tyre nxënësa 16-19 vjeçarë, kanë sulmuar dhe thyer kamerat dhe vitrinat e dy bankave si dhe u djegur disa makina. Më pas kanë sulmuar rajonin e policisë me bomba molotov, gurë dhe sende të forta. Policia e Korinthos bëri të ditur se ka arrestuar tre persona. Ndërmjet tyre edhe një 16-vjeçar nga Shqipëria. Nuk bëhet fjalë për të lënduar. Edhe në athinë janë sulmuar disa makina e banka. Dy oficerë policie vazhdojnë të qëndrojnë nën kontrollin e mjekëve pas sulmit të djeshëm në lagjen Eksarkia. Ata ishin pjesë e një patrullë policie, e cila u sulmua nga rreth 20 persona.
Athina është shndërruar në një kështjellë policore dhe qeveria tha se nuk do të tolerojë trazira. Rreth 6 mijë forca të sigurisë janë vënë në gadishmëri. Pas kryeminsitrit papandreu, edhe presidenti papulias bëri thirrje për qetësi e rend. Kreu nacionalist Karaxhaferis paralajmëroi qeverinë me shprehjen alarmante “përgatituni për luftë”.
Në dy ditët në vijim në qendër të Athinës janë paralajmëruar 2 manifestime të mëdha nga nxënësit dhe studentët, të cilët në mënyrë simbolike, me shprehjen “ne nuk harrojmë” kanë zaptuar rreth 500 shkolla e fakultete në të gjithë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›