E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet parcela me kanabis në tokë pa zot

Është zbuluar e asgjësuar mesditën e djeshme një parcelë me kanabis sativa në një fshat të Rrethit të Beratit. Burime të komisariatit të policisë kanë mundur të zbulojnë një parcelë të tërë të mbjellë me bimën narkotike, ndërkohë që mësohet se po punohet për të identifikuar autorët e mbjelljes. Po sipas këtyre informacioneve, agjentët e sektorit të luftës kundër drogës, pas një informacioni në rrugë operative, kanë zbuluar se në periferi të fshatit Allambrez të Komunës Cukalat të Beratit ishin kultivuar rreth 220 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Menjëherë prej agjentëve të policisë është shkuar në vendngjarje dhe pas zbulimit të bimëve narkotike ka nisur puna për asgjësimin e tyre, identifikimin dhe më pas prangosjen e personit që i ka kultivuar ato. Bimët ishin mbjellë në bregun e një përroi, pas hapjes së një parcele tokë të re prej 500 metrash katrorë mes shkurreve dhe ferrave. Duket se kultivuesit e bimëve kanë gjetur këtë vend si me të përshtatshëm dhe për shkak të ujit, i cili do t‘u shërbente gjatë rritjes së bimëve për vaditje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›