E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesion shkencor për shtetin më të ri në botë

Autori i Lajmit: red.
"Kosova, shtet i pavarur i Evropës” ishte tema e sesionit shkencor, organizuar dje në qytetin e Vlorës në përvjetorin e parë të pavarësisë së Kosovës nga Instituti i Studimeve Politike ”Ismail Qemali” në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës dhe nën kujdesin e ish-ministrit të Kulturës, deputetit të PD-së, Bujar Leskaj. Në këtë seminar ishin të pranishëm historianë të njohur si dhe autoritete të shtetit dhe të pushtetit vendor, të cilët në fjalën e tyre folën për rrugën e gjatë dhe të vështirë të pavarësisë së Kosovës. Në kumtesën e tij, “Republika e Kosovës, burim stabiliteti rajonal dhe krenarie kombëtare”, deputeti Leskaj u ndal në rëndësinë e shpalljes së pavarësisë dhe në momentet kryesore të konsolidimit të shtetit më të ri në Evropë.
Sipas tij, dita e madhe e pavarësisë së Kosovës është skalitur tashmë së bashku me 28 Nëntorin 1912, si një nga datat historike më të shënuara në historinë e kombit shqiptar. “Kjo ditë përpos të tjerash është një moment kremtimi dhe vlerësimi”, - nënvizoi Leskaj. Në këtë vit u konfirmuan politikisht dhe diplomatikisht, parimet e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, “...për një Republikë Demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtjes së barabartë, sipas ligjit e mbi të gjitha stabilitetin, koherencën dhe integritetin për Kosovën, shtet të pavarur dhe sovran”.
Ai kujtoi për të pranishmit se në vitin e parë, pavarësia e Kosovës është njohur nga 54 shtete, duke filluar nga SHBA, vendet kryesore të BE-së (shtatë anëtare të G-8 dhe 80% e BE-së), Turqia, Japonia, etj, si dhe vendet fqinje, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi. "Si rrjedhojë e punës së qeverisë, BE-ja ka konfirmuar hapin e parë të Kosovës drejt saj, duke realizuar studimin e fizibilitetit, i cili pritet të përfundojë në vjeshtë të këtij viti”,- tha Leskaj. Ai u ndal edhe në disa nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, që synojnë intensifikimin e zhvillimit ekonomik.
Në referatin e tij, studiuesi prof. Uran Butka, u fokusua në kontekstin historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke evokuar disa nga momentet kryesore. Duke u ndalur në raportet historike të Kosovës me Shqipërinë, ai u shpreh se, gjatë viteve 1920-1939, figura të shquara të Kosovës erdhën në Shqipëri për të ndihmuar në konsolidimin e shtetit me frymë patriotike si Rexhep Mitrovica, Hasan Prishtina, ndërkohë që Kosova u zhyt në natën e gjatë të pushtimit serb. Për prof. Uran Butkën, shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008-ës ishte në përputhje me atë që u kërkua nga Mithat Frashëri në Konferencën e Mukjes më 1-3 gusht të vitit 1943. I pranishëm në këtë aktivitet, zv/ministri i Financave, Florian Mima, u ndal në zhvillimet ekonomike në Kosovë, duke bërë një përshkrim të rrugës për ndërtimin e legjislacionit, ku gjithçka u përgatit nga themelet. “Kosova ka një legjislacion të përparuar evropian, një administratë doganore efektive”, - nënvizoi Mima.
Në këtë sesion folën dhe studiuesi e publicisti Ramiz Lushaj, prof.ass.dr.Bardhosh Gaçe, studiuesi Fahri Shaska, i cili në referatin e tij “Vlora dhe Kosova” veçoi faktin historik se më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë erdhën për pavarësinë dhjetëra kosovarë dhe 11 mandate të Kuvendit Kombëtar ishin të Kosovës.
Deputeti Bujar Leskaj dhuroi për të pranishmit 100 libra të autorit Ramiz Lushaj “Kosova me elemente tërësore të pavarësisë”.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›