E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët sapo kanë (ri)lindur…

Autori i Lajmit: red.
Shqiptarët sapo kanë lindur…Ashtu si në Prishtinë edhe në Tiranë është krijuar dje një “Neë born” (porsalindur), ku disa mijëra qytetarë kanë vendosur mbishkrime me urimin: “Gëzuar Pavarësinë”.
Ndryshe nga vepra monumentale e Prishtinës, një strukturë hekuri, e cilësuar si emblema kryesore e pavarësisë së Kosovës, në kryeqytetin e Shqipërisë Neë born ishte një seri stendash të vendosura në urën e re pranë Shallvareve. Të rinjtë e mbledhur në këtë pjesë të Tiranës, me iniciativë të kryetarit të Njësisë Bashkiake nr.10, Gerti Bogdani, mbanin flamuj kombëtarë dhe të Kosovës. Përgjatë disa orëve që stendat “Neë born” kanë qëndruar aty, qindra të rinj, por edhe qytetarë të moshave të ndryshme kanë lënë mbishkrimet e tyre duke uruar ditëlindjen e parë të shtetit të Kosovës. Të pranishëm në këtë aktivitet për ditëlindjen e shtetit më të ri në botë ishin dhe i ngarkuari me punë i Kosovës në Shqipëri, Gazmend Pula, dhe përfaqësuesi i ambasadës amerikane në Tiranë, Paul Poletes.
Thanë për pavarësinë…
“Për të gjithë ata shqiptarë, të cilët nuk patën mundësi që të ishin të pranishëm vjet në Prishtinë, në këtë ditë për popullin kosovar, ne krijuam këto stenda “Neë born”, për të firmosur mbështetjen e tyre”, - tha Bogdani. Duke i uruar suksese Kosovës në rrugën e vështirë që ka përpara dhe sa më shumë mbarësi shqiptarëve kudo që janë, ai shtoi se “kjo iniciativë e rëndësishme e njësisë sonë është për të treguar që dhe qytetarët e Tiranës dhe të rinjtë e këtij kryeqyteti e dëshirojnë Kosovën e pavarur dhe e mbështesin dhe urojnë shtetin e ri”.
Ndërsa Gazmend Pula i ngarkuari me punë i Kosovës në Shqipëri, u shpreh se “ndihem krenar dhe i ngazëllyer për këtë përkrahje që po i kushtohet shtetit tonë në këtë ditë të madhe të pavarësisë së saj, një ditë e cila u arrit pas flijimeve e sakrificave të mëdha të brezave të tërë”.
Paul Poletes, përfaqësues i ambasadës amerikane në Shqipëri, uroi 1-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke vijuar se “…siç e dime, Amerika dhe Shqipëria kanë bashkëpunuar shumë afër për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, patjetër që kjo mbështetje do të jetë në vazhdimësi”.
Simboli i Pavarësisë
“Neë born”, struktura prej hekuri, e konsideruar si simboli i pavarësisë së Kosovës, vendosur një vit më parë në një nga sheshet kryesore të Prishtinës, llogaritet të jetë vizituar nga mijëra e mijëra qytetarë si dhe nga shumë udhëheqës të lartë të shteteve që kanë ardhur përgjatë një viti në kryeqytetin kosovar.
“Ky monument është një simbol që të kujton se shteti i ri ka lindur dhe vazhdon të jetë monumenti më i vizituar", - tha një i ri nga Prishtina. Monumenti “Neë born”, 3 metra i gjatë, 1 metër i lartë dhe me peshë 1 ton, u konceptua nga Fisnik Ismajli, 35 vjeç, specialist në fushën multimediale dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me këtë punim artistik ai ka arritur të fitojë mjaft çmime ndërkombëtare, si Luani i lartë”, në Kanë të Francës, Clio i argjendtë” në Majami, etj.
Ishte ideja e tij personale për të realizuar këtë obelisk kushtuar pavarësisë se Kosovës, por që më pas u mbështet unanimisht nga qeveria e këtij vendi.
Vepra monumentale, e cilësuar si emblema kryesore e pavarësisë së Kosovës, u përurua mbrëmjen e 17 shkurtit të vitit të kaluar, disa orë pas deklaratës zyrtare të Pavarësisë. Tullumbace të shumta u lëshuan në ajër, ndërsa disa qindra njerëz vendosën në mënyrë simbolike firmat e tyre mbi këtë vepër, mes të cilëve presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, të pranishëm në ceremoninë e përurimit të monumentit. Veç firmave të shumta, qytetarët kanë shkruar edhe shprehje te tilla si "Rroftë Kosova" apo "Jam krenar për shqiptarinë".

Sheshi “Skënderbej”
Edhe fëmijët festojnë Pavarësinë
Aktivitete spontane janë zhvilluar dje në Tiranë dhe nga grupi i fëmijëve “Shoqata e Martaneshit”, të cilët kishin ardhur posaçërisht nga krahina e Martaneshit për të recituar, kënduar dhe vallëzuar. Të grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, njëri prej tyre, Hatixhe Lena, 11 vjeçe, recitoi një vjershë kushtuar posaçërisht kësaj dite, me titull “Festa jote, festa jonë”.
”I uroj thellë nga zemra gëzuar dhe harmoni për gjithë popullin kosovar”, - tha ajo pas interpretimit.
Ky lajm është publikuar: 18/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›