E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët e pastrehë thonë se Banka Botërore shkatërroi jetët e tyre

Nga Besar Likmeta, Gjergj Erebara, Balkan Insight

Fshatarët e Jalës, të mbetur pa shtëpi, pasi ua shkatërroi një projekt “pastrimi” i Bankës Botërore (BB), thonë se do të vazhdojnë luftën për drejtësi.

“Të shkatërrosh një shtëpi mjafton një gjysmë ore, ndërsa për ta ndërtuar duhet një jetë e tërë”, - thotë Nasi Simoni, një kapiten marine në pension, i cili u vendos në Jalë në fillim të viteve ‘90.

Si shumë banorë të fshatit, i vendosur në Rivierën shqiptare përgjatë rrugës Vlorë-Sarandë, ai jetonte mirë duke i shtuar pensionit të tij si marinar qiranë e disa dhomave të shtëpisë së tij, që i lëshonte për turistët gjatë verës.

“Dhomat që njerëzit shtuan në shtëpitë e tyre dhe që gjatë verës i lëshonin me qira, ishin si konservat për dimër”, - shpjegon Simoni.

Por jeta e tij dhe fshatarëve të tjerë ndryshoi rrënjësisht më 17 prill 2007, kur policia ndërtimore nga Tirana, e ndihmuar nga forcat policore të Ministrisë së Brendshme, u shfaqën në fshat dhe shkatërruan 15 ndërtesa, përfshi të tijën.

“Kur ata shkatërruan shtëpitë tona, thanë se do të hanim me lugë floriri, sepse shkatërrimi ishte pjesë e një projekti të BB”, - kujton Simoni, të cilit tani i duhet të jetojë si peshkatar me një varkë të vogël, ndërsa ende paguan kredinë e shtëpisë së prishur.

Policia ndërtimore veproi në emër të projektit të BB, që synonte mbrojtjen e bregdetit shqiptar. Në vend të kësaj, projekti shkatërroi një pjesë të një fshati dhe la një numër familjesh pa shtëpi.

Fshatarët thonë se shkatërrimi i shtëpive të tyre, të ndërtuara kryesisht me dërgesat e emigrantëve në Greqi, i ka lënë në varfëri.

Një raport inspektimi i Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), botuar në Balkan Insight më 31 janar 2009, zbuloi se projekti i BB në menaxhimin e zonës bregdetare të Shqipërisë kishte kontribuar në shkatërrimin e një sërë shtëpish pa leje në fshat, në kundërshtim me politikat e Bankës për zvogëlimin e varfërisë dhe zhvendosjes së detyruar.

Në Jalë u shkatërruan tërësisht ose pjesërisht 15 ndërtesa. Fshatarët pa shtëpi vazhdojnë të jetojnë mes rrënojave ose pjesëve që iu kanë ngelur nga shtëpitë e prishura.

Hetimi i Panelit të Inspektimit zbuloi se BB nuk kishte respektuar politikën e saj në lidhje me dizenjimin, vlerësimin dhe zbatimin e projektit, e për pasojë dëmtoi banorët e zonës.

Hetimi zbuloi se Banka ndihmoi shkatërrimin e shtëpive duke i bërë presion policisë ndërtimore lokale për të vepruar dhe duke i pajisur me mjete dhe foto ajrore.

Hetuesit regjistruan dyshime për korrupsion dhe ankesa se shkatërrimi i shtëpive përbënin një plan më të gjerë për ta zhvilluar zonën si zonë turistike.

Paneli nuk i vlerësoi dyshimet, por konkludoi se shkatërrimi selektiv i bërë nga policia ndërtimore tregonte synimin e qartë për ta pastruar zonën.

Paneli hetimor akuzoi gjithashtu menaxhmentin e Bankës se kishte keqinterpretuar faktet gjatë hetimit dhe kishte penguar hetimin duke i fshehur informacionin. Ai vuri re paaftësi për të rikujtuar faktet dhe ngjarjet kryesore nga stafi.

Hetuesit thanë se një numër pjesëtarësh të stafit në qendër dhe në terren dukej se ishin “trajnuar” që të jepnin informacion në dukje të qëndrueshëm, por faktikisht jo të saktë dhe keqorientues.

Në një deklaratë për Balkan Insight, më 30 janar, BB pranoi se “ishin bërë gabime në projekt” dhe shtoi se po “shqyrtonin” rrugët për të trajtuar personat e prekur.

Deklarata shtonte: “BB është e shqetësuar për gabimet që u bënë nga menaxhmenti dhe stafi në lidhje me projektin. Në përputhje me proceset tona të brendshme, Banka por rishqyrton veprimet e stafit të saj dhe nëse kërkohet do të ndërmarrë veprimet e nevojshme.”

Jetë të shkatërruara

Jala është e vendosur në bregdetin jonian, gjatë rrugës Vlorë-Sarandë, dhe konsiderohet një nga pjesët më të bukura të rivierës shqiptare. Dy shkrimtarë për fëmijë që rrjedhin nga kjo zonë kanë shkruar për blunë e thellë të ujit dhe plazhet me rërë në librat e tyre, duke i dhënë asaj imazhin e parajsës në tokë.

Familjet që banojnë në fshat kanë një histori 300-vjeçare, duke pasur në pronësi toka që janë trashëguar brez pas brezi.

Kjo zonë u la pas dore nga regjimi stalinist i Enver Hoxhës, peizazhi i tij shpëtoi nga industrializimi në masë që u shfaq në pjesët e tjera të vendit. Kur regjimi u përmbys në 1991, pjesa më e madhe e shtëpive të fshatit ishin jashtë kohe dhe shumica e banorëve ikën në Greqi dhe Evropën Perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.

Pas një dekade të trazuar tranzicioni për në demokraci, industria e turizmit nisi të gjallërohej ngadalë, remitancat nisën të vijnë dhe fshati rilindi.

Shtëpitë e vjetra që prisnin turistët gjithnjë në rritje papritur nuk kishin madhësinë e nevojshme. Banorët aplikuan për leje ndërtimi, por u refuzuan, se zona ishte jashtë vijës së verdhë. Të shtyrë nga nevoja ekonomike dhe realiteti i ndërtimeve pa leje në të gjithë vendin, ata vazhduan të shtonin dhomat brenda gardheve të tyre.

“Unë kam punuar polic për 35 vjet dhe e kuptoj forcën e ligjit, por ajo që më shtyu të ndërtoja (dhoma) pa leje është vetë ligji”, - tha Andon Koka, një pensionist që jeton në fshat me të shoqen.

Koka tregon për ligjin shqiptar të planifikimit urban, i cili, pas një sërë amendamentesh të kaluara në vitin 1998, lejon ndërtimet në pronë private pa leje, nëse zona nuk ka plan urbanistik.

Autoritetet thonë se veprimtaria e policisë ndërtimore ishte ligjore, një pretendim që fshatarët e kundërshtojnë, duke akuzuar qeverinë për selektivitet.

“Motra ime na la një copë tokë këtu në Jalë, por autoritetet lokale nuk e regjistruan testamentin e saj dhe nuk dhanë leje ndërtimi, sepse zona nuk kishte plan urbanistik”, - tha Vora Rrënja, mësuese në pension.

“Djali im që jeton në Greqi mendoi se, përderisa të gjithë ndërtojnë pa leje, ne mund të bënim të njëjtën gjë, por ne jemi të vetmit që e paguajmë”, - shtoi ajo.

Në majë të kodrës, me pamje nga gjiri i Jalës, qëndron një hotel me pronar Ministrinë e Mbrojtjes. Megjithëse edhe asaj i janë shtuar dy godina ngjitur, ato nuk u prishën nga policia ndërtimore.

Fshatarët insistojnë se shumë godina lokale që përdoren shpesh nga zyrtarët e qeverisë për pushime nuk kanë leje ndërtimi.

Balkan Insight kontaktoi Bashkinë e Himarës, që përfshin dhe Jalën, për të hetuar rreth shtesave në ndërtesa në kompleksin e Ministrisë së Brendshme, por bashkia nuk komentoi.

Në 2006, Shqipëria miratoi një ligj për legalizimin e ndërtimeve pa leje, shtëpitë përbëjnë një fraksion të 220 mijë ndërtimeve pa leje në gjithë vendin.

Fshatarët aplikuan për legalizimin e shtëpive sipas ligjit të ri, por asnjëri nuk mori përgjigje. Ndërsa më 3 prill 2007 ata u lajmëruan se shtëpitë e tyre ishin pa leje dhe do të prisheshin.

Ata bënë një padi në gjykatën e zonës, por policia ndërtimore nuk priti për vendimin e gjykatës dhe më 17 prill 2007 rrethoi zonën dhe i prishi të gjitha shtëpitë e reja në fshat.

“Në agim shtëpitë tona i rrethuan një numër i madh policësh. Ne u përpoqëm të bëheshim barrikadë në shtëpitë tona, por nuk ia dolëm”, - kujton Athina Andoni, e cila punoi 11 vjet në paketimin e një gazete në Athinë për të financuar ndërtimin e shtëpisë së saj.

Sipas fshatarëve, buldozerët e ardhur nga Tirana nisën të prishin shtëpitë e atyre njerëzve që mendoheshin se do të rezistonin më pak.

Forcave speciale që kishin rrethuar zonën u ishte thënë se po bëhej një aksion kundër trafikut të drogës dhe disa prej tyre nuk dëgjonin se po prishnin shtëpitë në fshat. Një inxhinier i policisë ndërtimore dha dorëheqjen në vend, pasi kundërshtoi urdhrin.

“Ata përdornin taktikë të veçantë, prishnin një pjesë të godinës, shkonin te një tjetër, pastaj riktheheshin”, - kujton Andoni.

“Nuk mund t’i luftonim, për çdo grua të moshuar në fshat kishte 30 policë, qëndresa ishte e kotë”, - shtoi ajo.

Bashkëshorti i Andonit, Bashkimi, dhe vajza e tyre 14-vjeçare kishin punuar gjithashtu në Greqi në paketim.

“Ne punuam si emigrantë në Greqi për shumë vite dhe derdhëm gjak e djersë për t’i kursyer paratë për shtëpinë”, - tha Bashkimi.

“Ne jetuam duke kursyer që të ktheheshim në shtëpi për një jetë më të mirë, por, kur erdhëm, qeveria na shkatërroi shtëpinë dhe jetën”, - shtoi ai.

Fshatarët e pastrehë tani jetojnë duke mbledhur bimë medicinale në male dhe i shesin.

“Ne gjithmonë i paguanim taksat dhe përherë kemi qenë korrektë me ligjin, por qeveria nuk deshi t’ia dinte për këto”, - tha Bashkimi, i cili shtoi se bashkia ende i kërkon që të paguajë taksa për dhomkat që ai jepte me qira, pavarësisht faktit që ato janë prishur para një viti.

Vora Rrënja, ish-mësuese, thotë se autoritetet u sollën kundër tyre më brutalisht se pushtuesit fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Jam 75 vjeç dhe më kujtohet Lufta Italo-Greke; erdhën italianët dhe pas tyre gjermanët, por ata kurrë nuk i shkatërruan kurrë shtëpitë tona”, - tha ajo.

Mafia e tokës?

Pas dy vjetësh, Jala është plot me mbetje dhe shtëpi gjysmë të prishura.

“U përpoqëm t’i pastronim mbetjet, por hoqëm dorë, pasi njëra nga vajzat tona pësoi tërheqje nga transporti i copave të rënda prej betoni”, - tha Athina Andoni.

Bordi i drejtorëve të BB është programuar për më 17 shkurt për të trajtuar raportin e Panelit të Inspektimit për prishjet e ndërtimeve në Jalë.

Presidenti i BB, Robert Zoellick, urdhëroi një hetim të ri më 1 dhjetor 2008, për të zbuluar kush ishte përgjegjës për përpjekjet e fshehjes së fakteve në lidhje me shkatërrimin e shtëpive.

Sipas FOX News, Zoellick, i ka dërguar një përgjigje të detajuar bordit të Bankës, ku pranon plotësisht zbulimet e ashpra të Panelit hetimor, i cili përfshin dëshmi të rolit të luajtur nga koordinatori shqiptar i projektit, Jamarbër Malltezi.

Megjithatë, Malltezi, dhëndëri i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i tha Balkan Insight se raporti i Panelit të inspektimit ishte i njëanshëm dhe shumë larg të vërtetës.

Ai tha se në shkurt BB do të krahasojë këtë raport me një raport tjetër i bërë në përgjigje të dyshimeve, para se bordi i drejtorëve të arrinte në përfundime.

Berisha ka mohuar gjithashtu çdo veprim të gabuar të qeverisë, duke e akuzuar Panelin e Inspektimit për lidhje me mafien shqiptare.

Por fshatarët thonë se zyrtarë të qeverisë po përpiqen t’i portretizojnë ata si kriminelë, me qëllim për të fshehur veprimet e tyre.

“Unë jam pensionist, jo anëtar i mafies”, - tha Andon Koka, ish-polici, duke kujtuar se qeveria bëri të njëjtat akuza kundër Panelit të Inspektimit të BB, të cilat u hetuan tërësisht dhe u gjetën krejt të pabazuara.

“Kam punuar me prokurorë gjithë jetën time, por nuk kam parë kurrë një hetim kaq të plotë”, - shtoi Koka, duke përshkruar marrjen në pyetje nga Paneli i Inspektimit.

Sido që të vendosë bordi i BB në lidhje me prishjen, fshatarët janë të vendosur të vazhdojnë betejën për pronën e tyre në të gjitha rrugët e mundshme ligjore.

“Ne jemi pronarët ligjorë dhe këtë tokë e kemi trashëguar brez pas brezi”, - tha Bashkim Andoni.

“Ky vend është yni dhe pavarësisht çfarë pengesash na nxjerrin, ne do të vazhdojmë luftën. Nëse nuk ia dalim ne, do t’ia dalin fëmijët tanë”, - shtoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›