E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seuli: Raketa nga Pheniani, mund të mos lëshohet tani

Seul - Koreja e Jugut bëri të ditur se lëshimi i një rakete nga Koreja e Veriut mund të mos ndodhë edhe për disa kohë edhe pse shteti komunist është përgatitur për një provë të raketës së tij me rreze të gjatë veprimi."Nuk mendoj se lëshimi i raketës do të bëhet së shpejti, por ndërkohë përgatitjet vazhdojnë" deklaroi për gazetarët ministri koreano-jugor për Unifikimin, Hyun In-taek.

Gjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka tensionuar më tej situatën në rajon me kërcënimet për të sulmuar Korenë e Jugut dhe përgatitjet për kryerjen e një prove të raketës me rreze të largët veprimi "Taepodong-2", që teorikisht mund të gadasë edhe Alaskën, por që deri tani asnjë provë nuk ka rezultuar e suksesshme.

Pheniani ka deklaruar se po përgatitet për lëshimin e një sateliti "si pjesë e programit të tij paqësor hapësinor". Koresë së Veriut i është ndaluar kryerja e provave të raketave balistike në bazë të sanksioneve të vendosura nga OKB-ja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›