E Shtunë, 31 Tetor 2026

Severin e Svoboda: “Hetoni zgjedhjet”

Autori i Lajmit: Redaksia
Udhëheqësit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i kanë bërë apel politikës shqiptare për hetimin e plotë të zgjedhjeve, përfshirë edhe hapjen e kutive, si rruga për daljen nga kriza politike, që sipas tyre, bllokon ambiciet integruese të Shqipërisë.
Gjatë një deklarate, Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian u bën apel të gjitha forcave politike që të arrijnë transparencën e plotë të procesit elektoral si një bazë e qëndrueshme për përmirësime të rëndësishme në mënyrën sesi do të organizohen zgjedhjet në të ardhmen duke bërë që ato të përmbushin standardet ndërkombëtare.
"Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të mazhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet evropiane të vendit",- thuhet në deklaratë.
Sipas saj, rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht ndërkohë që duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës me synimin për të forcuar procesin e integrimit evropian të vendit.
Zëvendëspresidentët e Grupit, Severin dhe Svoboda, përsëritën vullnetin e tyre që, nëse është e mundur, së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE në Parlamentin Evropian, të vinë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi, mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar.

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›