Sezon perfekt për Ronaldon

Ylli portugez Cristiano Ronaldo beson se ka pasur një sezon perfekt me Real Madridin, pasi i ka ndihmuar kësaj skuadreje që të fitojë La Ligën 2011-2012.
Pavarësisht se ai nuk ka mundur që ta mbrojë Pichichin si golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe nuk arriti të fitonte Ligën e Kampionëve, përfaqësuesi portugez është i kënaqur me paraqitjet e tij këtë sezon dhe se synon të tregohet edhe më shumë sezonin e ardhshëm.
“Individualisht sezoni im ka qenë i përsosur. Si ekip, mendoj se e meritojmë një nëntë, pasi kemi mundur të fitojmë më shumë tituj, si për shembull Ligën e Kampionëve”, tha Ronaldo për Goal.com.
Portugezi tha se sezonin e ardhshëm do të tentojë të shënojë edhe më shumë gola, por pranoi se do të jetë shumë e vështirë. “Qëllimi im është të shënoj edhe më shumë gola vitin e ardhshëm. E di se do të jetë e vështirë të shënoj më shuam se 46 gola në La Liga, por gjithçka mund të ndodhë. Unë më të vërtetë besoj se ende mund të përmirësohem”, vazhdoi ai.
Ronaldo po ashtu foli edhe për Topin e Artë, mirëpo nuk pranoi që ta cilësojë veten si favoritin kryesor, por pranoi se Kampionati Evropian do t’i ndihmojë shumë që të bëhet lojtari më i mirë në botë.
“Unë nuk jam ai që vendos se kush do e fitojë Topin e Artë. Mendoj se kam pasur një sezon fantastik dhe kam fituar një titull shumë të rëndësishëm siç është La Liga, që është shumë e vështirë për ta fituar. Duhet të presim dhe të shohim. Tani jam i fokusuar në Euro 2012. Dëshiroj t’ia dal mirë atje, sepse do të më ndihmojë të fitojë Topin e Artë.”, tha portugezi.
Portugezi gjithashtu është i bindur se Real Madridi do të dominojë La Ligën pas triumfit të sivjetmë dhe shpreson se ai do të mbetet ekipi më i mirë në Spanjë në vitet e ardhshme.
“Mendoj se cikli tashmë ka ndryshuar. Ne e mundëm Barcelonë në stadiumin e tyre, gjë e cila nuk ka qenë aspak e lehtë. Shpresoj që kjo situatë të vazhdojë edhe për shumë vite të tjera. Barcelona është një ekip i mrekullueshëm, por edhe ne jemi ashtu. Kemi treguar këtë vit se jemi më të mirë se ata për momentin”, vazhdoi ai.
Në fund Ronaldo foli edhe Pep Guardiolan, për të cilin tha se ka bërë një punë të shkëlqyeshme me Barcelonën dhe i dëshiroi atij suksese në të ardhmen.