E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia ne zi perballe Katarit

Pas tragjedisë që ndodhi në Himarë me studentët e universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit nuk është absolutisht momenti për të menduar për futboll. Këtë e kanë të qartë edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, që duke mos mundur të anulojnë ndeshjen, kanë vendosur ti bashkohen dhimbjes së një kombi të tërë.

Për këtë arsye, në miqësoren e sotme që Kombëtarja kuqezi do të luajë me Katarin në Madrid, lojtarët do të zbresin në fushë me nga një shirit të zi në krah, në shenjë nderimi për viktimat e aksidentit dhe solidarizimi me familjarët e tyre. Vendimi është marrë nga krerët e FSHF-së.

Përsa i takon ndeshjes, Shqipëria do të zbresë në fushë në orën 19:00 për testin me Katarin, që do të zhvillohet në stadiumin “Campo de fútbol de Vallecas”, impiant me kapacitet mbi 15 mijë vende ku luan skuadra e La Ligas, Rajo Valekano.

Federata e Katarit, që është edhe organizatore e sfidës ka vendosur që hyrja e tifozëve të jetë pa pagesë. Ndërkohë, edhe pse të paktën në letër dhe sipas kompanive të basteve kuqezinjtë janë favoritë, drejtuesi I stolit kuqezi, Xhani De Biazi do të jetë I detyruar të eksperimentojë.

Mungesat e shumta, në të gjitha repartet e detyrojnë trajnerin të hedhë në fushë një skuadër eksperimentale, ku në portë do të jetë “gardiani” i Skënderbeut, Orges Shehi, në mbrojtje debuton Mërgim Mavraj përkrah Dallkut, Canës dhe Veliut. Në mesfushë do të aktivizohen Bulku, Andi Lila, Sabien Lilaj dhe Bakaj, ndërsa nga minuta e parë në sulm pritet të luajnë Bogdani dhe Edgar Çani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›